Gjykata e Korfuzit liroi biznesmenin Edmond Bego, i cili u mbajt në paraburgim derisa autoritetet italiane i konfirmuan shtetit grek se 48-vjeçari nuk gjendet në listën e të kërkuarve.
Ndërkohë në vendin tonë, emri i Begos, një ish-i dënuar nga Gjykata e Torinos për 4 vepra penale, trazoi sërish ujërat e politikës. Por siç rezulton pikat mbi “i” i vendosi përgjigjja e Interpol Romës që i konfirmoi Interpol Athinës se shtetasi Edmond Bego apo Manoli Bega nuk kishte asnjë çështje të hapur e për këtë ai u lirua.
Dosja penale e biznesmenit Bego tregon se ai u shpall fajtor në Itali për trafik droge dhe u dënua me 21 vite burgim. Megjithatë dy vjet më vonë në Shqipëri, Gjykata e Lartë la në fuqi njohjen e këtij verdikti, duke duke e konvertuar me 11 vite burgim. Në këtë vendim u llogariten për zbritjen e dënimit, një aministi e përgjithshme e shtetit italian, dhe gjykimi i shkurtuar , çka solli dënimin e biznesmenit 4 vjet e 4 muaj burgim.
Edmond Bego u mbajt në qelitë e burgut të Fushë Krujës deri në 2011-ën, atëherë kur iu drejtua Gjykatës së Krujës për shërbim prove jo vetëm sepse i kishte mbetur pak dënim, por edhe sepse fëmijët e tij ishin të mitur dhe nuk kishte kush i edukonte përsa kohe bashkëshortja dhe prindërit e tij ishin sëmurë.
Në momentin e depozitimit të kësaj kërkesë Bego kishte vuajtur 2 vjet e pesë muaj burgim dhe i kishin mbetur dhe 1 vit e 8 muaj.
Gjykata e Krujës vendosi në këtë mënyrë dënimin alternativ për biznesmenin duke u bazuar edhe tek vlerësimi i burgut të Fushë Krujës që e evidentonte të dënuarin si të përpiktë me rregulloren e qelisë, korrekt dhe marrëdhënie të mira me bashkëvuajtësit e tjerë.
“Për veprën penale të kryer ai ka shfaqur qëndrim kritik dhe pendues”, kështu e mbyll përfundimisht Gjykata kapitullin penal të një të dënuari për drogë, që i përmenden në vendim edhe vështirësitë ekonomike, të cilat nuk e penguan të bëhet biznesmen.
Top Channel