Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, uroi sot besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Ai vizitoi selinë e Komunitetit Mysliman, ku i përcolli urimet e përzemërta kreut të besimtarëve myslimanë në vendin tonë, Skënder Bruçaj.
Më pas së bashku me myftiun e Tiranës, Ylli Gura ai uroi edhe gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për këtë festë të shenjtë. Ai bëri të ditur se Bashkia e Tiranës në bashkëpunim edhe me komunitetin mysliman dhe shoqata të ndryshme ka shpërndarë gjatë natës ushqime për familjet në nevojë, ndërsa ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës dhe çdo individ tjetër që ka mundësi të tregojnë solidaritet me më të dobëtit, sidomos në ditë të tilla si kjo e sotmja.
“Dua të falënderoj shumë komunitetin për shpirtin e vet aktivist dhe shpirtin e vet solidar, sidomos për këto ditë të veçanta. Dua të falënderoj qindra vullnetarë të bashkisë, të qendrave sociale, të shoqatave humanitare, të xhamive të Tiranës, mbrëmë gjatë gjithë natës kanë shpërndarë mish në mbi 2 mijë familje që janë në nevojë për ndihmë ekonomike. Unë besoj që ky është një apel se si mund të jemi solidar jo me statuse dhe me like, por me diçka konkrete. Sot secila familje në drekë, në dark që ka mundësi të ketë një vakt shtesë në ndihmë të një nevojtari, në ndihmë të një pensionisti të vetmuar, në ndihmë të një familje në ndihmë ekonomike ta bëj këtë. Nuk ka as xhamia dhe as bashkia monopolin e bamirësisë. Nëse ne do të funksiononim me këtë mentalitet të bashkimit, të solidariteti, të sakrificës çdo ditë, kjo do të ishte një mrekulli. Kështu që jam sot shumë optimist dhe u uroj të gjithëve shumë sukses dhe gëzuar festën për ju dhe familjet tuaja”, nënvizoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se dita e sotme duhet të jetë dhe një moment reflektimi për ta parë njëri-tjetrin në sy dhe për të qenë bashkë në sfidat që ka vendi. “E di që mrekullitë mezi ndodhin dhe e di që me t’u kthyer shtatori me gjasë do të rikthehet sherri, do të rikthehet debati, do të rikthehet konflikti, por ndoshta dita e sotme është një ditë për të reflektuar pak. Si do të kthehemi në shtator në Tiranë, do të kthehemi për të përçarë apo do të kthehemi për të bashkuar; do të kthehemi për të lënduar njëri – tjetrin apo për të shëruar njëri-tjetrin; do kthehemi për t’i vënë njëri-tjetrit stërkëmbëshin apo për t’i dhënë njëri-tjetrit dorën? Nëse mendojmë dhe reflektojmë seriozisht atëherë secili prej nesh në angazhimin publik që ka mund të luajë të njëjtin rol siç e luan në ditët e veçanta të festave ku të gjithë flasin për bashkim edhe vëllazëri ama sa rikthehet sherri dhe rrëmuja jemi të parët për t’i hedhur benzinë zjarrit. Ndaj edhe besoj shumë edhe lutem që shtatori të na gjejë të bashkuar dhe siç jemi në festa ashtu të jemi edhe në ditët e punës”, tha Veliaj.
Ai u shpreh i kënaqur për ecurinë e punimeve për Xhaminë e Namazgjasë, ndërsa theksoi se harmonia fetare në Shqipëri është kthyer në një atraksion turistik për të huajt.
Top Channel