Pëllumb Nako është ekspert i çështjeve të sigurisë dhe, kur e pyet mbi gjendjen e rendit në vend, preferon t’u referohet shifrave. E nis nga krimi i organizuar dhe fuqia e shtetit për t’i goditur asetet financiare.
“Do të bënim një bilanc që në një vit kemi 60 milionë euro asete kriminale të sekuestruara nga organet tona kompetente”, tha Pëllumb Nako, ekspert për çështjet e sigurisë.
Për ta vënë në kontekst forcën e shtetit, krahasimin e bën përsëri përmes parasë. Si shembull merr rastin e 600 kg kokainë të kapur në Durrës.
“Vlerësimi që kanë bërë specialistët në vlerën e investuar, vlerën e parave që janë harxhuar për ta marrë këtë sasi, është te 120 milionë euro. Pra kemi vetëm një grup, i cili deri tani, të paktën sipas hetimit, përbëhej nga 4 persona, që ka kryer një investim kriminal prej 120 milionë eurosh. Ndërkohë, të gjitha institucionet e shtetit tonë kanë sekuestruar një sasi që është në vlerat e 60 milionë eurove”, tha Pëllumb Nako.
Vet drejtuesit e lartë të institucioneve shtetërore pohuan disa muaj më parë se, në vend ekzistonin 40 grupe kriminale. Pëllumb Nako pyet çfarë u bë me to dhe përse askush nuk i përmend më?
“Po të shikoni faqen e internetit të Policisë së Shtetit, para disa kohëve e reklamonte punën e Task Forcës në drejtim të kapjes së këtyre grupeve kriminale. Në mos gabohem ishin 6 apo 7 grupe. Tani, kjo faqe nuk e paraqet më këtë problem. Pra, duket qartë që është një dështim. 33 grupet e tjera kriminale ku janë? U reklamua për disa muaj edhe e famshmja Task Forca ‘Forca e Ligjit’. U reklamua për disa muaj dhe u la përgjysmë. Në muajt e fundit nuk flet njeri për të”, u shpreh më tej Nako.
Nga ana tjetër mbetet problemi i krimit ordiner, që ndikon drejtpërdrejt te perceptimi që qytetarët kanë për sigurinë e tyre.
“Para disa kohëve filloi me publicitet shumë të madh krijimi i forumeve qytetare të sigurisë. Filloi ministri i Brendshëm, doli në disa qytete, papritur u ndërpre. Pse? Njerëzit janë të shqetësuar dhe pyesin përse u la përgjysmë një nismë e tillë?”, tha eksperti.
Si ekspert i çështjeve të sigurisë, Nako e di fort mirë se gjykimi i qytetarëve nuk bazohet në statistika, por mbi mbazën e një perceptimi që ata krijojnë mbi veprimtarinë e institucioneve.
“Gjithnjë shqetësimet sociale që lidhen me ndjenjën e pasigurisë ndiqen nga një fenomen i dytë social, që lidhet me largimin, me braktisjen”, deklaroi ai.
Ngjarje si vrasja e 8-fishtë në një fshat të Vlorës, pak ditë më parë, shoqërohen nga thirrjet për fushata të mbledhjes së armëve që ndodhen në duart e popullsisë. Pëllumb Nako tregon se nuk ka iluzionin se ky do të ishte çelësi i artë.
Top Channel