Balla u përgjigjet akuzave të PD: E njoh Edmond Begon, çështja do sqarohet

21/08/2018 13:54

Në një konferencë të përbashkët për mediat me deputetë gjermanë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është pyetur nga gazetarët rreth akuzave të opozitës për lidhje të dyshimtë mes tij dhe Edmond Begos, të arrestuar në Itali në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Italia.

Taulant Balla jo vetëm pranon se e njeh Edmond Begon por flet me tonet e një miqësie kur i referohet sipërmarrësit shqiptar të arrestuar në Greqi për llogari të autoriteteve italiane që e kanë dënuar atë për trafik ndërkombëtar droge si pjese e grupit kriminal te drejtuar nga Aldo Bare.

“Lidhur me 100 akuzat e hedhura nga gojëtarë të ndryshëm të PD-së me rastin në fjalë unë do i përgjigjem vetëm njërës që ka interes. A ka qenë ligji dhe sundimi i ligjit i njëjtë edhe për këtë person? Apo ka gëzuar mburojë politike? Dua tju them qartë për secilin prej nesh dhe për mua sundimi i ligjit duhet të jetë dhe është një. Personin në fjalë sigurisht që e njoh, njoh bashkëshorten e tij dhe fëmijë të shkëlqyer, nxënës shembullorë moshatarë me tim bir. Dua t’ju them me garanci të plotë se kurrë nuk i është ofruar një mburojë dhe përgjigjen e ka dhënë shteti shqiptar”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, teksa u pyet nëse ka lidhje biznesi me Edmond Begon.

Duke sfiduar opozitën që t’i drejtohet organeve të drejtësisë nëse e gjen atë në shkelje të ligjit, numri dy i Partisë Socialiste mohon aludimet e demokratëve se Bega nuk arrestohej në Shqipëri për shkak të mbrojtjes politike të Taulant Ballës.

“Përgjigjen për këtë çështje e ka dhënë policia e shtetit. Edmond Bego nuk ka qenë në kërkim në Shqipëri Opozita të shkojë t’i drejtohet prokurorisë për dyshimet e saj”, shtoi Balla.

Top Channel pyeti Ballën në lidhje me përgjimet e publikuara pak ditë më parë në media ku një nga deputetët e grupit parlamentar socialist, Jurgis Çyrbja, rezultonte se mbante kontakte me anëtarin e një grupi kriminal.

“Është histori e vjetër, e kam pyetur Prokurorinë që atëherë nëse deputeti është nën hetim dhe më thanë jo”, u shpreh ai

Gjatë këtyre deklaratave Balla kishte në krah disa deputetë gjermanë të SPD-së me të cilët ishte takuar. Kreu i grupit parlamentar të PS-së i bëri thirrje opozitës që të ndryshojë qasje dhe të zhbllokojë në shtator Shkollën e Magjistaturës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA