Biznesmeni Edmond Bego ose Manoli Bega, i cili është dënuar në Itali si pjesë e organizatës kriminale të Aldo Bares në trafikun e narkotikëve, e ka ulur dënimin italian nga 21 vite burg me 4 vjet e 4 muaj në Shqipëri, nëpërmjet Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, 5 anëtarët e të cilit aktualisht janë të gjithë jashtë sistemit.
Më konkretisht, gjyqtarët Gani Dizdari, Fatos Lulo dhe Besnik Imeraj nuk u konfirmuan nga Vetting-u. Gjyqtarja Majlinda Andrea u shkarkua nga detyra pasi u dënua me kusht për korrupsion, ndërsa Andi Çeliku ka dhënë dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë.
Referuar vendimit të Gjykatës së Lartë shqiptare dhe faktit që Bego nuk i kreu asnjëherë as 4 vitet e njohura nga Shqipëria, mund të thuhet se ai ka rezultuar më i privilegjuari i bandës së Aldo Bares. Pasi vetë kreu Aldo Bare është i dënuar me burgim të përjetshëm.
Ndërsa një nga eksponentët kryesorë të kësaj bande, Enver Dondollaku, pasi kreu dënimin në Itali për trafik droge, është ekstraduar në vendin tonë ku po vuan dënimin me 12 vite burg.
Por, përveç procedurave të ndjekura nga Gjykata e Lartë për të ulur në maksimum dënimin italian për Edmond Begon, një fakt që të bie në sy në vendimin e shtatorit të viti 2010 është që vetë avokati i Begos në atë kohë, Ardian Leka, deklaronte se Italia nuk kërkonte njohje vendimi, por ekstradimin e Begos.
“Nga ana e shtetit italian nuk është bërë kërkesë për njohje të vendimit penal të dhënë nga ana e tyre, por thjesht është kërkuar që shtetasi Manoli Bega apo Edmond Bego të dërgohet në Itali për të vuajtur atje dënimin e dhënë kundër tij”, tha avokati Ardian Leka.
Në një kohë që nuk pranohet kërkesa për ekstradim nga Italia nuk është pranuar, Gjykata e Lartë merr në konsideratë vetëm përfitimet për ish-anëtarin e bandës së Lushnjes, Edmond Bega. Arsyetimi i vendimit, sipas relatorit Fatos Lulo, mbyllet me fjalët: “Mbi këtë masë dënimi do të duhet të zbatohet dispozita e nenit 406 të kodit të procedurës penale si dhe ulja prej tre vitesh burgim të cilën shtetasi shqiptar Edmond Bego e ka përfituar nga amnistia”.
Bego i ka shpëtuar zbatimit të ligjit antimafia për hetimin pasuror dhe konfiskim të pasurive edhe pse kishte dënim të formës së prerë nga Italia për trafik narkotikësh dhe organizatë për trafikimin e narkotikëve.
Ndoshta kjo mund të jetë edhe arsyeja që drejtësia italiane e ka mbajtur sërish në kërkim biznesmenin shqiptar, të cilin e kërkon për të vuajtur dënimin dhe jo për t’i njohur vendimin nga autoritetet shqiptare.
Bego u arrestua në Mavromati ndërsa po kthehej në Shqipëri nga pushimet në Korfuz. Top Channel mëson se ai është marrë në pyetje nga prokurorët, por nuk ka pranuar të flasë ndërsa këtë të hënë gjykata greke e la në burg në pritje të gjithë dokumentave për ekstradim në Itali.
Top Channel