Institucionet evropiane përshëndetën daljen e Greqisë nga plani shpëtimit gjatë ditës së sotme dhe tashmë presin që anëtari i eurozonës me borxhin më të lartë, të qëndronte në këmbët e veta, pas nëntë vjetësh nën përkujdesje financiare.

Athina do të mbështetet në tregjet e bonove për të rifinancuar borxhin e saj, duke lënë zyrtarisht një krizë që e zvogëloi ekonominë e saj me një të katërtën dhe e detyroi atë të zbatonte masat shtrënguese të dhimbshme.

Që nga fillimi i vitit 2010, Greqia është mbështetur nga një plan shpëtimi më i madhi në historinë ekonomike, me më shumë se 260 miliardë euro të huazuara nga partnerët e saj të eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Mekanizmi Europian i Stabilitetit (ESM), fondi i ndihmës së euros, shprehu besimin se Athina mund të menaxhonte situatën ekonomike, pa nevojën e një rrjeti ndërkombëtar të sigurisë financiare.

“Sot ne mund të përfundojmë me siguri programin e ESM-së, pa pasur nevojë për më shumë programe shpëtimi, pasi për herë të parë që nga fillimi i vitit 2010, Greqia mund të qëndrojë në këmbë e vetme”, tha Mario Centeno, kryetar i bordit të guvernatorëve të ESM-së.

Shefi i ESM, Klaus Regling tha për një gazetë greke se Greqia mund të jetë një histori suksesi, ashtu si Portugalia, Spanja, Irlanda dhe Qipro, vendet e tjera të eurozonës, të cilat kishin nevojë për plane shpëtimi pas krizës globale financiare, për sa kohë që vazhdon të punojë në rivendosjen e besimit me partnerët e saj.

Regling përshkroi fundin e shpëtimit si një lajm i madh. “Populli grek duhet të festojë,” tha ai për gazetën Ethnos të së dielës. “Nesër, do ta festoj me një gotë të mirë uzo.”

Por me papunësinë vetëm nën 20 përqind, gjendja shpirtërore në rrugët e Athinës ishte larg festës.

“Kam bërë shumë më tepër para në të tridhjetat e mia se tani”, tha kamarieri Costas Papaconstantinou, 54 vjeç, në një kafene në qendër të qytetit. “Po të mos ishte për turizmin, do të mbaronim”.

“Nuk ka asnjë dalje nga plani i shpëtimit, ne do të jemi nën një monitorim deri në vitin 2060, derisa t’i paguajmë këto kredi”, tha ai.

Pas planit të shpëtimit, Greqia është zotuar të plotësojë suficitet buxhetore primare, duke përjashtuar shpenzimet e shërbimit të borxhit, të 3.5 përqind të prodhimit ekonomik vjetor të vendit deri në 2022-shin dhe 2.2 përqind deri në vitin 2060.

“Greqia po përfundon, megjithëse formalisht, një periudhë të gjatë shpëtimi që la 924,000 të papunë, mbylli 250,000 biznese dhe la shumicën e grekëve me një borxh të brendshëm prej 227 miliard euro për taksambledhësit, fondet e pensioneve dhe bankave”, tha Vassilis Korkidis, kreu i Dhomës së Tregtisë së Pireut.

Ai tha se ishte më shumë një ditë përllogaritjesh dhe jo feste, ndërsa paketat e shpëtimit mund jenë lënë pas, por masat shtrënguese dhe taksat vazhdojnë të shtrydhin grekët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA