Bashkia e Tiranës ka përfunduar rehabilitimin e një blloku banimi në Selitë, ku banorët e ardhur kryesisht pas viteve ’90 kanë vuajtur mungesën e infrastrukturës. Kryebashkiaku Veliaj tha se, pas legalizimit të ndërtimeve, zona e Selitës po urbanizohet.
Ai iu bëri thirrje banorëve që të mirëmbajnë investimet e kryera.
“Rikthehemi në një zonë totalisht të transformuar. Këtu projekti nuk është vetëm logjistik: asfalt, llaç e tulla; por edhe pak në mentalitet. Kemi bashkuar energjitë: qeveria bën legalizimin, kurse bashkia urbanizimin. Pa legalizim nuk ka urbanizim, pra është shumë e rëndësishme që fillimisht banorët të marrin hipotekën, e në fund pasi të kenë marrë pronën, ne ndërhyjmë në të gjithë rrjetin rrugor, kanalizime dhe ndriçim”, tha kryebashkiaku.
Veliaj u bëri thirrje banorëve që të regjistrojnë adresat e sakta të vendbanimit, në mënyrë që zona të përfitojë nga shpërndarja më e mirë e fondeve dhe e investimeve.
“I ftoj banorët të vijojnë me regjistrimin në zonë. Sot janë të gjithë qytetarë të Tiranës dhe duhet të regjistrohen këtu. Fakti që marrim taksa nga pjesa e vjetër e Njësisë 5 për t’i sjellë në zona ku vetëm së fundi, pas legalizimit, ka filluar të paguhet pak taksë prone, do të thotë se automatikisht Bashkia e Tiranës i ka privilegjuar. Tani ka ardhur koha që edhe ata të sillen si qytetarë të Tiranës dhe të bëhen pjesë e kësaj bashkësie që paguan diçka modeste, por në fund fare kontribuon në të mirën e përbashkët”, tha Veliaj.
Ai është ndalur edhe një herë te përmirësimi i infrastrukturës shkollore, ku nga 17 shkolla të reja që po ndërtohen në territorin e Bashkisë së Tiranës, 3 prej tyre ndodhen në Njësinë 5.
“Disa nga vendimet më të rëndësishme për zonën do të jetë fillimi i shkollave të reja. Shkolla e parë që do të fillojë do të jetë afër Parkut Olimpik dhe besoj se, edhe një nga problematikat e fundit që kemi për sa i përket bashkisë në këtë zonë, shfryrja e klasave me dy turne, do të vijojë me shkollat e reja. Në total do të jenë 17 shkolla të reja dhe vetëm për Njësinë 5 kemi 3 të tilla”, tha Veliaj.
Blloku i rehabilituar nga bashkia ka një sipërfaqe prej 21.2 hektarësh, ku investimi ka përfshirë edhe rrjetin e ri të kanalizimeve.
Top Channel