Mijëra familje në zonën e ish Kombinatit “Josif Pashko” kanë sot një rrugë të re. Bashkia e Tiranës vijon punën për përmirësimin e infrastrukturës në çdo lagje të kryeqytetit, duke mbajtur premtimin për banorët.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se edhe në këto ditë gushti, bashkia është në krye të punëve. Ai nënvizoi se pas këtij investimi, kjo zonë pritet të njohë një investim të rëndësishëm nga qeveria për stacionin e ri të trenit të kryeqytetit. “Në Bashkinë e Tiranës kemi një parim: çdo ditë një punë konkrete! Puna konkrete në këtë ditë të nxehtë gushti është ky ‘by-pass’, që lidh disa zona informale, që njihen me emrin ‘shinat e Trenit’. Siç e shihni, shinat e trenit janë këtu dhe presin investimin e radhës të qeverisë, që do sjellë trenin tek Bulevardi i Ri, por ndërkohë që presim trenin, s’duhet të humbasim trenin e investimeve në Tiranë. Kjo është arsyeja pse jemi zhvendosur drejt periferisë”, tha kreu i Bashkisë.

Aktualisht, Bashkia e Tiranës ka rreth 100 kantiere të hapura, ku po punohet për përmirësimin jo vetëm të infrastrukturës rrugore, por edhe për institucionet arsimore dhe sociale të qytetit. “Sot në Tiranë kemi rreth 100 kantiere të hapura. Angazhimi ynë është që derisa njerëzit të kthehen nga pushimet, të përfundojmë shumicën e këtyre kantiereve, sidomos ato që kanë të bëjnë me akset kryesore të rrugëve, unazat e disa rrugë të tjera apo institucionet arsimore, shkollat, kopshtet e çerdhet. Ndaj, do të na shikoni në terren gjatë gjithë muajit gusht. Qeveria vjen me legalizimet, ndërkohë bashkia vjen me infrastrukturë ku sot nuk diskutohet rruga, asfalti e trotuari, por fibra optike, interneti, IPTV. Kjo është mënyra më e mirë se si dikush ‘pashaportizohet’ në Tiranë, vetëm kur ka akses në shërbime si pjesa tjetër e qytetit”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se falë sakrificës së 1600 punonjësve që janë çdo ditë në terren, qytetarët do të gjejnë një Tiranë edhe më të mirë kur të kthehen nga pushimet. “Mezi pres që ta mbyllim me nder gushtin. Kemi pasur një stinë vere me shumë shi, deri në korrik. Do të thotë që na është ngushtuar dritarja e kohës kur mund të hedhim asfalt e ku mund të bëjmë punë fizike, megjithatë jam i bindur se duke pasur gjithë forcat në terren, do ta bëjmë Tiranën më të mirë”, tha Veliaj .

Ndërhyrja në segmentin midis kryqëzimit ish Kombinati “Josif Pashko” te ish “Uzina Dinamo” ka konsistuar në realizimin e rrjetit të ri të ujësjellës-kanalizimeve, vendosjen e sistemit të ndriçimit, trotuare, gjelbërim dhe vendosjen e plotë të sinjalistikës horizontale dhe vertikale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA