Rreth 40 pacientë të Repartit të Hemodializës nga i gjithë Jugu i vendit kryejnë seanca trajtimi të paktën 3 herë në javë, në të vetmen njësi shërbimi në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës.
Pacientët, që shpesh janë në faza të avancuara të mosfunksionimit të veshkave, thonë se iu mungon mbështetja me transport, ka shumë burokraci në marrjen e ilaçeve dhe prej dy javësh nuk kanë as mjek.
“Kam probleme me marrjen e ilaçeve. Marr rekomandimin në Tiranë, për të ardhur këtu lart e poshtë. I sëmurë, i dalë nga dializa, të shkoj të mbaj radhë”, thotë Përparim Shkurtaj, një pacient nga Përmeti.
Zilfo Rado, pacient i Hemodializës nga Nepravishta, prej 8 vitesh thotë se i duhet të ecë në këmbë për rreth dy orë, për të dalë në rrugën kryesore ku udhëton me mjete të rastit për në spital.
“Asnjë mjek, ata duhen patjetër këtu. Ne jemi në mëshirë të fatit. Çfarë do të na bëjnë infermieret?”, shprehet Zilfo Alikaj, pacient.
Vasilika Alikaj shoqëron të shoqin, Kujtimin, prej 21 vitesh në terapi. Ajo thotë se, ai nuk është më në gjendje të lëvizë prej sëmundjes dhe se u duhet të vijnë 3 herë në javë nga Saranda, bashkë me 9 pacientë të tjerë të dializës.
“Transporti duhet urgjentisht të rregullohet. Më mirë familja të blejë një ilaç më shumë, sesa të harxhojë me transportin”, tha Vasilika Alikaj.
Prej 16 vitesh, Garufo nga Stjari i Sarandës vuan në shtrat prej azotemisë së veshkave, prej diabetit e verbërisë.
“10 mijë lekshi që marr si shoqërues dhe 14 mijë që merr ajo nuk na dalin. 7.400 lekë pagova për ilaçet, që thonë se janë falas. Gënjejnë!”, thotë bashkëshorti Grigor Laro.
Reparti i Hemodializës në Gjirokastër mbulon vetëm një pjesë të nevojave të pacientëve, pasi shumica e tyre e marrin shërbimin në Spitalin e Janinës.
Top Channel