Gjumi dhe qetësia e familjes Halilaj këtu në Kamëz u trazua mesnatën e kaluar, kur një kallashnikov u zbraz drejt banesës së tyre. Shenjat e plumbave kanë ngelur në fasadën e xhamtë që në të cilën edhe gjurmët e tyre janë mbuluar tashmë me një rrjet.
12 anëtarët e familjes së Shkëlqim Halilajt ishin në gjumë kur breshëria e armëve dhe shpërthimet i traumatizuan. Për fat të mirë asnjëri prej tyre nuk u lëndua. Policia raporton për sulmin e paprecedentë se autorët hodhën lëndë plasëse në oborr dhe më pas qëlluan drejt shtëpisë që gjithashtu përdoret edhe si biznes familjar, kryesisht lokal. Drejt shtëpisë janë zbrazur më shumë se 60 plumba kallashnikovi, ndërsa policia gjatë natës e deri vonë kreu ekspertizë në vendngjarje duke mbledhur edhe gëzhojat.
Edhe pse banesa gjendet pak metra larg policisë, pas sulmit autorët janë larguar me një makinë, të cilën e kanë djegur për të zhdukur gjurmët. Policia ka dyshime se automjeti është i vjedhur ndërkohë që përveç sekuestrimit të kamerave të sigurisë u pyetën edhe anëtarët e familjes Halilaj.
Por ata i thanë policisë së nuk kanë konflikte me askënd dhe nuk dinë çfarë ka ndodhur. E njëjta gjë u tha jashtë kamerës edhe për mediat.
Top Channel