Ridvan Zykaj u arrestua nga forcat speciale rreth orës 6 të mëngjesit, pas ndjekjes që zgjati gjatë të gjithë natës. Ai ishte fshehur jo më shumë se një kilometër larg banesave ku kreu masakrën.

Ridvan Zykaj u kap nga forcat e policisë mëngjesin e së shtunës, pas 12 orëve kërkim të bluve të Vlorës, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe reparti RENEA. Ai u gjet i fshehur në rrethinat pranë fshatit Resulaj të Selenicës, në Vlorë.

Të premten pasdite ai tronditi mbarë vendin me aktin makabër që kreu, duke vrarë 8 persona, mes të cilëve edhe dy fëmijë 14 dhe 6 vjeç. Arsyeja se përse 8 anëtarët e familjes Zyka vdiqën nga të shtënat e kallashnikovit nuk dihet ende.

Pas kapjes, Zykaj u dërgua në Komisariatin e Vlorës, ku gjatë kohës që merrej në pyetje ka pranuar autorësinë e krimit dhe nuk ka shfaqur pendesë për të. Ditën e premte, 24-vjeçari ka qenë në një drekë familjare. Gjyshi i tij thotë se aty nuk kishte një situatë që ta detyronte Ridvanin të kryente krimin.

Ngjarja që mund të cilësohet si një nga më të rëndat në vend gjatë dekadave të fundit, nuk ka si autor një person me probleme mendore, edhe pse 24-vjeçari do t’u nënshtrohet testeve përkatëse për të vlerësuar shëndetin e tij mendor.

Pas ngjarjes, prindërit e tij shprehën habinë se ku i kishte gjetur municionet dhe armën, pasi në shtëpinë e tyre nuk zotëronin një të tillë. Personat që e njihnin në fshat thonë se ai ishte një tip i mërzitur nga jeta si çoban, i paditur dhe i egër, por më parë nuk kishte sulmuar askënd.

Pas ngjarjes, i çuditshëm ishte fakti se Ridvan Zykaj, pasi kreu aktin makabër dhe ndërkohë u fshihej forcave të policisë, gjeti kohën t’u përgjigjej njerëzve që e sulmonin në profilin e tij social në Facebook për veprimin që bëri.

Pas marrjes në pyetje në komisariat, Ridvan Zykajn e pret përballja me drejtësinë. Sipas Policisë së Sshtetit, mbi 24-vjeçarin autor të vrasjes së 8 personave, do të bjerë akuza për “vrasje në rrethana cilësuese të dy ose më shumë personave”.

Ndërkohë, familjarët ankohen për kushtet në të cilat po zhvillojnë ritualet e ceremonisë mortore dhe kërkojne ndihmë nga autoritetet.

“Trupat janë me plagë. S’kanë frigorifer. Bëjmë apel për ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë. Ne po presim emigrantët që të bëjmë varrimin”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA