Fatbardh Lici, 53-vjeç, është vrarë me armë zjarri mëngjesin e sotëm në qytetin e Shkodrës.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 7 e 30 minuta të mëngjesit në periferi të qytetit, në lagjen “Kiras”.
Viktima ka qenë duke pirë kafe në shoqërinë e dy personave të tjerë kur nga një mjet tip “Benz”, pa targa, ka dalë një person që ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të 53-vjeçarit, duke e lënë të vdekur në vend.
Autorët janë larguar me shpejtësi dhe në zonën e Dobracit kanë djegur automjetin me të cilin kanë kryer vrasjen.
Vrasja në Shkodër, gjendet një automjet i djegur
Forca të shumta policie kanë nisur kontrolle në zona ku dyshohet se kanë lëvizur autorët.
Për momentin policia ende nuk ka dhënë ndonjë detaj për motivet apo autorët, por sipas policisë nga hetimet paraprake dyshohet që ngjarja të ketë ndodhur për motive hakmarrje.
Policia mësohet se ka shoqëruar disa persona që mendohet se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen. Në të njëjtën kohë, grupi hetimor ka sekuestruar 6 kamera sigurie të bizneseve në rrugën ku dyshohet se kanë lëvizur autorët, ndërsa në lokalin ku ka ndodhur krimi nuk ka pasur kamera sigurie dhe kjo e bën akoma më të vështire zbardhjen e këtij krimi.
Kohët e fundit, Shkodra është tronditur nga krimet mafioze ku kryhen vrasje të dhunshme e të frikshme dhe gjithnjë pa autor.
Vetëm një muaj më parë, një ish efektiv policie së bashku me gruan e tij, u ekzekutuan në Shkodër në sy të fëmijës dy vjeç dhe në ketë ngjarje autorët pasi kryen krimin e dogjën automjetit.
Top Channel