Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda rrëzoi kërkesën e avokatit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, që e konsideron të pabazuar sekuestrimin preventiv të disa pasurive. Vendimi u dha nga Idriz Mulkurti, në një kohë që ish-kryeprokurori është kthyer në Shqipëri, ndërsa avokati i tij është larguar me pushime jashtë vendit.

Gjyqtari i gatshëm, të cilit i kishte rënë shorti për shqyrtimin e kësaj çështjeje, kërkoi asistencën e një avokati kryesisht, për të cilin ka qenë e vështirë të gjendet, për sa kohë shumica e avokatëve që gjenden në listën e Gjykatës së Krimeve të Rënda janë gjithashtu me pushime.

E ndërsa e sigurtë është se tashmë ish-Prokurori i Përgjithshëm do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë, derisa hetimet të marrin rrugë, nën sekuestro do të qëndrojnë një apartament në Durrës dhe mbi 22 mijë metra katrorë tokë arë në kryeqytet.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla u vendos nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, menjëherë pas valës së akuzave që iu drejtuan atij sapo dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë shqiptare.

Dorëheqja e tij solli në fakt edhe ndërprerjen e vettingut, që u bë gjithashtu shkak për të hapur një seancë dëgjimore, nëse duhej apo jo të ndërpritej vettingu, e sigurisht në këtë pikë ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla fitoi.

Tashmë problemet ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla burojnë pikërisht nga “godina e qelqtë”, nga e njëjta godinë kur më herët ai drejtonte akuzë dhe gjatë analizave vjetore iu kërkonte prokurorëve që të ishin më intesivë në hetimin e korrupsionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA