Një sasi prej 27 ton miell gruri më origjinë greke për shkak se nuk kishte fletë analizë që konfirmon sigurinë e produktit është bllokuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
“Konkretisht, trupa inspektuese e DRAKU, Gjirokastër gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën Doganore Kakavijë konstatoi se një subjekt i cili pretendonte të fuste në Shqipëri produktin “ miell gruri” kishte pa rregullsi në vërtetësinë e dokumentacionit që shoqëronte ngarkesën. Saktësisht, fleta e analizës e paraqitur nga subjekti nuk korrespondonte me të dhënat e stampuara në thasët e miellit të grurit. Pra, nuk vërtetohej se kjo fletë analize i përkiste këtij produkti si dhe nuk garanton sigurinë dhe cilësinë e miellit që do të hynte në tregun tonë. Për më tepër subjekti nuk dispononte në gjuhën shqipe certifikatat e sigurisë ushqimore bazuar legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin e AKU.
AKU thotë se do të ndjek procedurat doganore për kthimin në origjinë.
Më tej në njoftim thuhet se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën sërish thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.
Top Channel