Me qetësinë që e karakterizon prokurori i çështjeve të mëdha Arben Dollapaj, dëgjoi nga komisionerët e vettingut gjetjet për karrierën e tij 25 vjeçare.
I njohur mes të tjerash si prokurori i bandës së Lushnjës sepse ’97 e gjeti me detyrë në qytetin e Lushnjës, si prokurori që kërkoi dënime të ashpra në Gjykatën e Lartë për të pandehurit e Gërdecit, Arben Dollapaj rezultoi i pastër në të tre komponentët e rivlerësimit.
Komisionerët thanë se prokurori Arben Dollapaj ka punuar me ndershmëri dhe ka ruajtur të pastër figurën e prokurorit, një konstatim ky që tregon se raste si ai i Arben Dollapajt i detyron edhe vetë komisionerët të mos kursehen me fjalë të mira.
Edhe pasuritë e prokurorit, i cili garon për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë rezultojnë të justifikuara. Por në përfundim të seancës Arben Dollapaj ruajti profilin diskret të njeriut që përfaqëson akuzën e shtetit në Gjykatë.
Gjatë ditës u konfirmua në detyrë edhe Artur Malaj, gjyqtar i Apelit Administrativ. Në këtë mënyrë Malajt iu hap rruga për në krijesën më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, që është Inspektorati i Lartë i Drejtesisë
Pritet që KPK të mbyllë seancat dëgjimore brenda datës 10 gusht, dhe ndërsa komisionerët e ONM do marrin pushimet, e vetmja që do qëndrojë në detyrë do të jetë vetëm një pjesë e administratës, e cila do të vazhdoje të mbajë dyert hapur për ankesat e publikut.
Top Channel