Partia Demokratike thotë se konfirmimi në detyrë i gjyqtarit që liroi nga burgu Arben Frrokun, Dritan Hallunaj, është një këmbanë alamri për sistemin e ri të drejtësisë.
“Konfirmimi në detyrë i gjyqtarit të Krimeve të Rënda Dritan Hallunaj, përgjegjës për lirimin nga burgu të mikut të Edi Ramës Arben Frroku, vrasësit të komisarit Dritan Lamaj, është kambanë alarmi për sistemin e ri të drejtësisë dhe provë e qartë se vettingu nuk po ndëshkon gjyqtarët e prokurorët e korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar”, tha Enkelejd Alibeaj i cili ka postuar edhe video të vendimit që kishte dhënë Hallunaj për Frrokun.
Sipas Alibeajt, ky vendim për Arben Frrokun, i cili më pas në të gjitha shkallët e gjykimit mori burgimin e përjetshëm, është shkak i mjaftueshëm për të shkarkuar nga detyra një gjyqtar.
“Nëse gjyqtarët konfirmohen në detyrë pavarësisht se kanë liruar nga burgu vrasës dhe individë të lidhur me krimin e organizuar, atëherë vettingu ka dështuar të kthejë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Kjo ishte e vetmja pritshmëri, e shprehur edhe nga ambasadori Donald Lu, 3 vjet më parë, kur komentoi rastin e Arben Frrokut dhe gjyqtarit që i dha pafajësinë”, vijoi Alibeaj.
Partia Demokratike shpreh shqetësimin se “procesi i vettingut, i diktuar nga Edi Rama, po mban në sistem gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, në kundërshtim me pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë”.
Top Channel