Debat për taksat e bixhozit, Presidenti kthen ligjin. Financat: Taksat nuk u ulën

01/08/2018 15:05

Ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat, që u miratua nga Kuvendi një muaj më parë, ka shkaktuar përplasje jo vetëm politike, por edhe mes institucioneve më të larta të shtetit. Të martën Presidenti vendosi ta kthejë ligjin me argumentin se ai ul taksat për kumarin.

“Ndryshimet në nenin 6, të ligjit janë të pa argumentuara. Ato do të sjellin uljen e barrës fiskale dhe përfitim financiar vetëm për bizneset e lojërave të fatit”, thuhet në dekret.

Por pas dekretit të presidentit ka reaguar ministria e financave.

“Nuk ka asnjë ndryshim në ligjin “Për lojërat e fatit” dhe asnjë relaksim sa i përket taksimit të tyre, por vetëm njëhsim të aplikimit”, reagoi ministria.

Por si qëndron e vërteta në këtë përplasje mes presidentit dhe ministrisë së financave?

***
Dekreti i presidentit ka një gabim referencial. Zoti meta I referohet nenit 6 të ligjit, si neni që ul taksat për kumarin. Por pika që prek regjimin tatimor të bixhozit është neni 5, i cili thotë: “Tatimi mbi lojërat e fatit aplikohet 15% mbi të ardhurat bruto. E ardhura bruto diferenca midis shumës së luajtur nga lojtarët dhe shumës së fituar prej tyre”.

Por a i ul taksat e kompanive të kumarit ky nen? Përgjigja është jo. Prej tre vitesh, tatimi mbi kompanitë e kumarit është 15 për qind e të ardhurës bruto, dhe po prej tre vitesh e ardhura bruto është përcaktuar tek ligji i lojërave të fatit si diferencë mes shumës së luajtur nga lojtarët dhe fitimeve që kompania u shpërndan atyre, saktësisht sikur thuhet në ligjin e ri. Dhe kjo skemë taksimi është miratuar me firmën e zotit meta si kryetar Parlamenti.

I vetmi ndryshim që sjelli ligji i ri është se fut në të njëjtën skemë taksimi edhe lotarinë kombëtare, duke e taksuar atë njësoj si bastet, kazinotë dhe llojet e tjera të kumarit. Ky është i vetmi ndryshim që sjell ligji i ri, ndërkohë që për pjesën tjetër barra e taksave mbetet po e njëjtë. Problemi kryesor me kumarit sot nuk është ligji i ri, por mësymja e krimit, evazioni fiskal, qarkullimi I parave të pista dhe përfshirja e zyrtarëve të lartë në interesat e kësaj industrie. Një gangrenë të cilën qeveria u zotua se do ti jepte fund, por që në fakt është zgjeruar frikshëm, me një faturë jo të vogël për publikun.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA