Babai u ofron prindërve “dajak” falas për fëmijët që sillen keq

01/08/2018 20:11

Postimi i një babai u bë viral në internet, pasi doli në rrugë me një tabelë “dajak falas” për prindërit që kanë fëmijë që sillen keq.

Që t’i siguronte kalimtarët që nuk e kishin kuptuar gabim qëllimin e tij, Duejn Stemper, në Muncie, Indiana (SHBA) shkroi te tabela: “Keni fëmijë që e kanë hak një dajak të mirë? Mezi po prisni sa të vijë shtatori e t’i çoni në shkollë? Sillini këtu, se ju ndihmoj unë, falas. Nuk pranoj fëmijë mbi 13 vjeç, se ata rrezik më rrahin mua.”

Por fotoja që u përhap në internet, përveç humorit, u kthye në një debat serioz për prindërit që i rrahin fëmijët si formë edukimi. Shumë prej komentuesve nuk qeshën aspak, dhe e panë përdorimin e rrahjes së fëmijëve si një prej arsyeve kryesore të problemeve pas rritjes.

Elizabeth Gershoff, pedagoge e zhvillimit familjar te Universiteti i Teksasit, tha që nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se e rrahura e korrigjon sjelljen e gabuar të një fëmije.

“Përkundrazi, thotë ajo, rrahja e shton mundësinë që fëmija të mos bindet. Veç kësaj, fëmijët që rrihen kanë më shumë gjasa se të tjerët që të zhvillojnë probleme mendore, si ankthi apo depresioni.”

Akademia Pediatrike e Amerikës po ashtu është kundër ndëshkimit fizik ndaj fëmijëve, sepse u mëson që sjellja agresive është mënyrë për të zgjidhur problemet.

“Në dreq me gjithë shkencën”, thotë babai Stamper, dhe këmbëngul që rrahja i ka funksionuar.

“I kam rrahur nga pak fëmijët para se të bëheshin 13 vjeç, dhe ka funksionuar. Rrahja ka funksionuar dhe për prindërit e mi, dhe për gjyshërit. Shumica e atyre që janë kundër rrahjes, s’kanë fëmijë”, thotë ai, ndërkohë që ka shumë komentues që e mbështesin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA