Kryebashkiaku Erion Veliaj është shprehur se do të vazhdojë të mbështesë nismën e presidentit për dhurimin e gjakut, edhe pse mes tyre tashmë është në mes kthimi i ligjit të teatrit në Kuvend.
Nismës së Presidentit i është bashkuar edhe APR, ku Veliaj shprehu mirënjohjen e tij për këtë staf. Ai falënderoi Kryqin e Kuq për bashkëpunimin dhe ftoi edhe bashkitë e tjera që t’i bashkohen nismës; t’i shërbejnë më shumë atyre që kanë nevojë dhe të merren më pak me politikë.
“Do të vijojmë me të njëjtin përkushtim; kemi hartuar një kalendar vjetor dhe dua të ftoj të gjithë kolegët e bashkive të tjera të bashkohen. Shumë mirë që vijnë në Tiranë për të bllokuar teatrin apo punë të tjera, por sa mirë sikur me të njëjtin zell që bllokojnë punët e Tiranës, edhe më Kamëz e Shkodër, të vijojë dhurimi i gjakut, sepse besoj se duhet të kemi më shumë zell për ndërtim se sa për shkatërrim; më shumë zell për kontribut se sa për bllokim! Besoj se edhe bashkitë e tjera do të ndjekin këtë shembull, por ndërkohë që Tirana është bashkia më e madhe dhe sigurisht, bashkia që ofron gjithmonë cilësinë më të lartë në çdo punë publike, do të duhet ta bëjë këtë edhe në solidaritet”, shtoi Veliaj.
Mandej, ai shtoi se Bashkia e Tiranës do t’i përmbahet angazhimit të marrë dhe të japë kontributin e saj për të dhënë gjak. “Lidership do të thotë të bësh atë që është e drejtë, pavarësisht rrethanave. Të ndërtosh teatrin, besoj është e drejtë, të dhurosh gjak po ashtu, dhe përkushtimet janë përkushtime dhe angazhimet janë angazhime. Ne e kemi marrë këtë angazhim dhe pavarësisht rrethanave apo mënyrës se si shkon loja e politikës së ditës, pavarësisht kush bllokon apo zhbllokon diçka, pavarësisht se kush hap një sherr apo bëhet pengesë, jeta vazhdon dhe unë besoj se për gjërat që besojmë, që janë detyrime të shenjta dhe angazhime të marra, do ta mbajmë gjithnjë fjalën”, tha Veliaj.
Top Channel