Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, deklaroi pasditen e së premtes se “vendimi i Presidentit për kthimin në Parlament të ligjit për teatrin është akt i përgjegjshëm në mbrojtje të Kushtetutës dhe trashëgimisë kulturore”.
“Partia Demokratike përshendet vendimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta për rrëzimin e ligjit antikushtetues për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe grabitjes së pronës publike për projektin kriminal të ndërtimit të kullave me paratë e pista të drogës dhe korrupsionit. Vendimi i Presidentit është një provë tjetër se projekti për shembjen e Teatrit Kombëtar është një akt i paligjshëm i babëzisë së Edi Ramës, Erion Veliajt dhe mafias së ndërtimit, që nuk ka asnjë lidhje me nevojën për një Teatër të Ri. Sa herë ligji të triumfojë mbi mafian, Edi Rama dhe Erion Veliaj do të zhgënjehen! Propaganda e dalë boje e Erion Veliajt është e pafuqishme për të mbuluar të vërtetën se ai është sekseri i Edi Ramës në aferën e të paktën 200 milionë eurove. Qëndrimi zyrtar i Presidentit të Republikës është këmbanë e fortë alarmi se Kryetari i Bashkisë së Tiranës është në krye të grupit kriminal për zbatimin e projektit mafioz të kullave tek Teatri”, deklaroi Zhupa.
“Për shkeljet flagrante të ligjit dhe Kushtetutës të evidentuara nga Presidenti, një drejtësi e pavarur do ta kishte çuar sot në burg Erion Veliajn për të paktën dy vepra penale, shpërdorim detyre dhe korrupsion. Këmbëngulja e Erion Veliajt për zbatimin e projektit korruptiv të Edi Ramës është provë se ai është një kukull në duart e mafias së ndërtimit dhe mafias së drogës, që kanë planifikuar pastrimin e parave të pista në Qendrën Historike të Tiranës”, shtoi zëdhënësja e PD-së.
Top Channel