Hyrja nga Kombinati për në Tiranë po merr një pamje të re. Pas rehabilitimit të hyrjeve nga Rruga e “Elbasanit”, Rruga e “Dibrës” dhe Rruga “Dritan Hoxha”, Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e plotë të segmentit rrugor nga mbikalimi i Shkollës Teknologjike deri në Kombinat, si hyrja e katërt e kryeqytetit.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetja e PS, Blerina Gjylameti, inspektoi punimet që po kryen në këtë aks, ndërsa theksoi se Tirana do të ketë një tjetër hyrje dinjitoze, me standarde dhe korsi të dedikuara për biçikletat.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur që teksa një pjesë e madhe e Tiranës ka nisur pushimet, vlon puna në ato zona ku, prej lehtësimit të trafikut, mund të punojmë më shpejt. Ka qenë një stinë shumë e vështirë për kryerjen e punëve publike në Tiranë për shkak të shirave. Nëse vjet kishim thatësirë të gjatë, këtë vit kemi pasur mot jashtëzakonisht të vështirë. Megjithatë, po maksimizojmë ditët pa shi dhe faktin që njerëzit janë me pushime, që t’i japim Tiranës një hyrje të re moderne”, tha Veliaj.

Ai theksoi se ky investim do t’u vijë në ndihmë jo vetëm banorëve të Njësisë 6, por edhe automjeteve që vijnë nga jugu apo perëndimi, që do të përdorin rrugën nacionale nga Ndroqi, e cila gjithashtu do të rikonstruktohet. “Duke harmonizuar dy projektet, pra projektin e hyrjes nga Kombinati me projektin e Ministrisë së Transporteve për rrugën e Ndroqit, i kemi dhënë edhe një valvul shkarkimi qytetit. Siç e shikoni, zona është prekur nga disa investime. Kemi përfunduar investimet në shkolla, kopshte dhe çerdhe në fillim. Kemi sistemuar totalisht varrezat e Sharrës, të cilat sot është një hapësirë shumë më dinjitoze, për të treguar se jemi qytet me vlera, ku respektojmë edhe ata që nuk jetojnë më, por që kanë kontribuar në qytetin tonë. Këto investime që deri dje kanë qenë ishuj po i bashkojmë me këto akse rrugore. Kështu, rruga nga Sharra deri në hyrje të Tiranës, te Fabrika e Miellit, do të jetë me të gjitha standardet”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku veçoi faktin se, ashtu si çdo rrugë e re në Tiranë, edhe ky aks do të ketë në të dyja krahët korsi të dedikuara për biçikletat, çka do të jetë një shtysë edhe më shumë për përdorimin e dyrrotakëve si një alternativë, jo vetëm me më pak kosto, por edhe më e shëndetshme për lëvizjen në Tiranë. “Nuk po bëjmë rrugë të re pa pasur edhe korsi biçikletash sepse besojmë se çdo qytetar që paguan taksa, jo vetëm ata që janë pronarë makinash, por edhe ata që përdorin biçikletën, edhe ata që përdorin transportin publik, edhe ata që ecin në këmbë, janë po aq aksionerë të aseteve të bashkisë. Kjo do të thotë se do të marrin në përqindje proporcionale pjesën e tyre të rrugës. Ndaj, dua t’i ftoj qytetarët të vazhdojnë përdorimin e biçikletës. Rruga nga qendra e Kombinatit deri në qendër të Tiranës me korsi të dedikuar nuk do të shkojë më shumë se 3-4 minuta. Kjo do të thotë se edhe për efiçencë të kohës do të jetë mënyra më e mirë për të lëvizur nëse dikush është i ri ose nëse dikush ndihet mirë fizikisht mund të përdorë fare mirë biçikletën”, tha ai.

Ndërkohë, Veliaj shtoi se krahas aksit kryesor, po vijojnë punimet edhe në rrugët dytësore, për një rrjet të plotë të rrugëve të asfaltuara në zonë. “Kemi aksin kryesor, por po punojmë në të dy anët, edhe nga “Misto Mame”, edhe nga “Musine Kokalari”. Po shtrijmë investimin në nivel kapilar deri te pragu i shtëpisë, investime që nuk e kishin prekur Kombinatin prej vitesh. Por, kjo kërkon mirëmbajtje; teksa mbarojmë aksin kryesor me dy xhepat anësorë, vijojmë në nivel kapilar në zonat ku qeveria ka ecur me legalizimin. Duke ecur bashkë, fillimisht legalizim, pastaj urbanizim, mund të bëjmë çdo qytetar të zonave informale përreth Kombinatit të ndjehet njësoj ‘tirons’ si kushdo tjetër që e ka shtëpinë buzë rrugës së Kombinatit apo në Bllok”, u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA