Pëllumb Bekteshi është nga fshati Bardhor i Kavajës dhe që kur zbuloi kënaqësinë e peshkimit nuk e braktisi më detin.
Nga një pasion i adoleshencës, peshkimi u kthye në të vetmin mjet jetese për familjen e tij. Falë gjuetisë së peshkut me varkën e tij të vogël ka rritur e martuar 5 vajzat e tij, po sot përballet dhe me vështirësi.
“Që në ’85-n kam gjuajtur peshk me komardare zetori. Kur erdhi demokracia bleva varkë. E siguroj jetesën nga peshkimi. Peshk nuk ka fort. S’ka prodhim. Pres kur të ketë det të favorshëm nga veriu dhe jugperëndimi”, u shpreh Pëllumb Bekteshi.
Çdo darkë ai hedh rrjetat në det e të ardhurat variojnë nga dita në ditë. E gjithçka bie brenda tyre e tregton në restorantin e plazhit të gjeneralit dhe në qytetin e Kavajës. Restorantet dhe pushuesit në plazhet e Kavajës preferojnë më shumë kocën, levrekun e arragostën.
“Në kohën e demokracisë nisën të gjuajnë të gjithë me dinamit e kjo e dëmtoi peshkun. Tani ka shumë vite që nuk gjuhet më, po dëmi është bërë. Korb e lëvrek që ka pas plot nuk ka më, vetëm kur bën shumë det”, u shpreh Pëllumb Bekteshi.
Në këto ujëra ndihet zot dhe nuk i braktis për asgjë. Pushimet dhe puna janë të pandara. Deti e mban të lidhur pas vetes. Njeh çdo skutë të kësaj riviere bregdetare. Edhe pse ka dekada të tëra që punon në det, shprehet se do të qëndrojë në det deri në fund.
Top Channel