Veliaj: Mandatin tjetër, udhëtimi i parë me tren elektrik nga Tirana në Rinas

23/07/2018 13:15

Treni do të vijë shpejt në Tiranë, por kësaj here do të jetë elektrik. Stacioni i ri do të jetë thuajse në të njëjtin vend si stacioni i vjetër, aty ku tashmë është vendosur në shenjë simbolike instalacioni i një lokomotive me avull, për të kujtuar të vjetrën.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehet se shpejt qytetarët e Tiranës do të udhëtojnë drejt aeroportit të Rinasit dhe qytetit të Durrësit me tren elektrik, lajm të cilin e dha në ceremoninë e vendosjes së instalacionit të lokomotivës me avull në hyrje të Bulevardit të Ri, si bashkëpunim mes Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Infrastrukturës e Energjisë dhe “Hemingëay Fan Club Albania”.

“Treni i ri elektrik do të kalojë në anën tjetër, kjo është arsyeja pse e vendosim lokomotivën në këtë anë. Me këto mundësi, besoj se brenda mandatit tjetër do të kemi shansin që të përjetojmë udhëtimin e parë me trenin elektrik, pa ndotje, nga Tirana në Rinas dhe pastaj nga Tirana në Durrës. Do të kemi mundësi të shikojmë, ku ishim, ku jemi dhe ku duam të shkojmë në të ardhmen”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se instalacioni i ri i lokomotivës me avull, shërben jo vetëm si një kujtesë fizike. “Kjo lokomotivë është prodhuar në vitin 1951. Kjo përkon me vitin kur u krijua konsorciumi i parë që i parapriu BE-së, që ishte unioni i çelikut dhe i qymyrit. Në fakt, avulloret e para në Europë ishin për të mundësuar tregtinë e çelikut dhe të qymyrit. Nga marrëveshja e vitit ’51 lindi ajo që sot quhet Bashkimi Europian, negociatat me të cilin do t’i hapim vitin tjetër. Kështu që, kjo është edhe një kujtesë jo vetëm fizike, por edhe politike, edhe e njerëzimit, edhe e faktit si ka zhvilluar jo vetëm shkenca, por edhe marrëdhëniet mes popujve, që nisën si marrëdhënie tregtare dhe sot janë marrëdhënie shumëpalëshe në atë që e quajmë familja evropiane”, tha ai.

Veliaj theksoi se e ardhmja e Tiranës nuk është një qytet ku punët i bën vetëm bashkia, po ku djem dhe vajza fantastikë adoptojnë një pjesë të qytetit për ta zbukuruar. “Në shumicën e vendeve të botës, një park, një lulishte, një instalacion, një statujë, në fakt nuk janë prodhime të bashkisë, por i djemve dhe vajzave të atij qyteti, komune apo lagjeje, që bëhen bashkë për të krijuar një mikrohapësirë, të cilën e adoptojnë. E ardhmja e Tiranës nuk është një qytet ku punët i bën vetëm bashkia, po ku djem dhe vajza fantastikë adoptojnë një copë të qytetit për ta zbukuruar, ashtu si është sot vend më i bukur Bulevardi i Ri me këtë instilacion fantastik pas nesh”, deklaroi ai, teksa falenderoi të gjithë ata të rinj dhe të reja që u morën me vendosjen e këtij instalacioni në kryeqytet.

“Gjërat e bukura duan shumë mundim, përgatitje, punë bindëse, angazhim, duan edhe shumë pasion. Nuk është vetëm punë muskujsh, vinçash edhe shinash, por duan shumë
zemër. Kur të tregohet historia e këtij qyteti do të jetë historia e djemve dhe vajzave që i kanë bërë gjërat me shumë pasion”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Lokomotiva e vendosur në Bulevardin e Ri u prodhua ne vitin 1951 në Poloni dhe përfundoi misionin e saj në vitin 1986, në Shqipëri. Fillimisht u shërbeu udhëtarëve e më pas trenave te mallrave, ndërsa tashmë do të na kujtojë stacionet hekurudhore që ngjajnë me stacionet e jetës, me historitë dhe emocionet, dashurisë që mbajti gjallë familjet e largësitë që kjo lokomotivë i shkurtoi. Më shume se një relike e fillimit hekurudhor shqiptar, lokomotiva me avull shërben edhe simbol i rrugëtimit të pandalshëm i zhvillimit të Tiranës.

Instalacioni i lokomotivës, i titulluar “Avullorja 02”, është ideuar dhe restauruar nga Hemingway Fan Club Albania.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA