Infermierët e “Kristalit”/ Urdhri i Infermierit: Me probleme mund të jenë 400 persona

23/07/2018 20:20

Mimoza Moçka nuk është infermierja e vetme që nuk po rimerr një licencë nga Urdhëri i Infermierëve të Shqipërisë.

Ajo thjesht dha alarmin për një problem me përmasa shumëfish më të mëdha.

“Mund të jenë 300, mund të jenë 400, por që nuk humbasin vendin e tyre të punës. Nuk humbasin anëtarësinë, por humbasin nivelin: nga arsim i lartë, në arsim i mesëm”, shprehet Sabri Skënderi, President i Urdhrit të Infermierit.

Mimoza Moçka, infermiere me përvojë mbi 30-vjeçare, ka dorëzuar pranë Urdhërit të Infermierit dy diploma të marra nga universiteti privat “Kristal”. Njëra është lëshuar në 2008 dhe tjetra në 2010. Në mes qëndron viti 2009, kur infermieria tek universiteti “Kristal” u akreditua.

“Në 2015, Ministria e Arsimit tha se të gjitha diplomat e lëshuara nga institucione arsimore private para marrjes së akreditimit janë të pavlefshme”, shpjegon Skënderi.

Mimoza është licencuar dy herë me diplomën e “Kristalit” të vitit 2008. Licencimi për herë të tretë ka ngecur.

Presidenti i Urdhrit të Infermierit deklaron: “Nuk na falet që të gabojmë për së dyti”.

Zgjidhjen këtij ngërçi pritet t’ia japë Ministria e Arsimit: “I jemi drejtuar me një shkresë. Ka kaluar afati me 4 ditë dhe asnjë përgjigje. Nëse nuk do të kemi asnjë përgjigje, jemi të detyruar që zonjës t’i lëshojmë një licencë me arsim të mesëm”.

Presidenti i Urdhrit të Infermierit nuk lë pa përmendur ikjen masive të infermierëve nga Shqipëria: “Janë mbi 1000 infermierë të punësuar në Gjermani deri tani. Deri në fund të vitit, mund të shkojë shifra në 1500-2000”.

E gjithë kjo e ka një shpjegim: “Në Shqipëri janë 5000 infermierë pa punë dhe priten t’i shtohen edhe 2000 të tjerë të mbetur në provimin e fundit. Pra, gjithsej 7000 të papunë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA