PD përmes zëdhënëses së saj, Ina Zhupa, ka akuzuar paraditen e së dielës Bashkinë e Tiranës se ka abuzuar me tenderin e zhvilluar më 20 qershor të këtij viti për uniformat e policisë bashkiake duke shpallur fituese në shkelje me ligjin një kompanie që sipas PD nuk paguan tatimet dhe për ketë arsye është nën sekuestro.
Sipas Zhupës, dokumenti i lëshuar nga zyra e tatimeve e vërteton faktin se kompania fituese “Vojsava Zenelaj” është debitore, e duhej të ishte skualifikuar menjëherë.
“Tenderi 100 milionësh për veshjet e policëve bashkiakë është një rast flagrant, ku korrupsioni dhe shkelja skandaloze e disa ligjeve bëhet aq hapur, sa çdo qytetar i zakonshëm mund ta kuptojë. Mjafton të shohë dokumentet që po bëjmë publikë. Është fakt se Erion Veliaj i ka dhënë 100 milionë lekë një kompanie që nuk paguan tatimet dhe për ketë arsye është nën sekuestro. Dokumenti nga Zyra e Tatimeve e provon këtë. Aty thuhet se kompania fituese “Vojsava Zenelaj” është me statusin “nën mbledhje me forcë”, çka tregon se kompania nuk ka paguar tatimet dhe duhet të ishte skualifikuar menjëherë! Duke i dhënë 100 milionë lekë një kompanie që është nën sekuestro për mospagim tatimesh, Bashkia e Erion Veliajt ka shkelur disa ligje dhe vendime qeverie”, deklaroi Zhupa.
Por nuk ka vonuar as reagimi i Bashkisë së Tiranës, e cila ka bërë me dije edhe përmes dokumenteve të grumbulluara nga kompanitë para zhvillimit të tenderit kompania nuk rezultonte debitore nga organi i Tatimeve, të paktën deri më datë 08.06.2018 kur edhe është marrë dokumenti përkatës.
Top Channel