I ashpër ndaj politikanëve shqiptar është shprehur ministri i Jashtëm gjerman, duke kërkuar nga ta që të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të mos pengojnë integrimin e vendit.
“I bindur që Shqipëria do të vijojë rrugën e reformave. Të krijohet një sistem ligjor solid e drejtësi e pavarur”, u shpreh Michael Roth.
Ministri gjerman u ndal më specifikisht tek Vettingu në Shqipëri, për të cilin vlerësoi se është një proces që asnjë vend tjetër i rajonit se ka kaluar. Për ministri Roth e rëndësishme është edhe ndërgjegjësimi i aktorëve politikë në Shqipëri për këtë proces.
“Me vettingun Shqipëria po bën një rrugë, që nuk ka të dytë në rajon. Vettingu është një proces i vështirë, duhet të ketë një ndërgjegjësim të madh nga opozita dhe qeveria”, tha Roth, i cili u tregua jo pak kritik kur theksoi se politikanët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre, e të mos pengojnë integrimin.
“Unë do t’ju apeloja që të marrin përgjegjësitë e tyre në mënyrë që të mos e rrezikojnë procesin e Shqipërisë”, tha Roth, që shprehu bindjen se Shqipëria do të vijojë rrugën e reformave.
Ndërkohë për çështjen e refugjatëve Roth u shpreh se Shqipërisë nuk i është vendosur asnjë kusht pasi ata janë të interesuar që të gjitha palët të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.
Ministri i jashtëm, Ditmir Bushati në konferencën e përbashkët me homologun gjerman Michael Roth, deklaroi se Shqipëria po vijnë të hedhë hapa të sigurt drejt integrimit të BE. “Sa më tepër hapa që hedhim drejt BE, aq më i sigurt bëhet procesi. Në planin e brendshëm duhet të avancojmë me reformat”, tha Bushati.
Gjithëpërfshirësja ne votimin dhe zbatimin e reformave, ne kontekstin politik, është zgjidhja për ato që shfaqen si sfida para Shqipërisë sot, mendon edhe ministri i Jashtëm Bushati. Zgjedhjet e lira por edhe nje gjyqesor i shendetshem garantohen me konsensus politik sipas tij.
Përsa i përket negociatave me Greqinë, Bushati u shpreh se të dyja palët janë në dialog intensiv dhe janë hedhur hapa thelbësore për çështje që konsideroheshin tabu.
“Jemi në dialog intensiv. Kemi hedhur hapa substancial për çështje që konsideroheshin tabu. Në bisedime nuk triumfon vullneti i njëanshëm, por parimet ndërkombëtare. Do të jetë një marrëveshje shumë më e mirë sesa ato të shkuarës. Jemi në bisedime qoftë dhe për kufijtë detar dhe ato tokësorë me piramidat për të shmangur incidentet”, u shpreh Bushati.
Top Channel