Bylykbashi: Mazhoranca çoi drejtësinë në kolaps, nuk dëgjoi sugjerimet tona

21/07/2018 17:08

Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi doli me një deklaratë publike, ku iu përgjigj thirrjes së koleges nga partia Socialiste, Vasilika Hysi.

Kjo e fundit kërkoi që opozita të bëhet e përgjegjshme dhe të votojë projektligjin për miratimin e kuotave të magjistraturës, i cili ka nevojë për 84 vota që të miratohet.

Bylykbashi i kujton Hysin se këto probleme që po shfaqen sot në sistemin e drejtësisë, opozita i kishte parashikuar që para dy viteve në Komisionin e Reformës në Drejtësi, ku ishin anëtarë të dy deputetët.

“Më 21 korrik, para dy viteve, ne t’i patëm thënë e stërthënë këto konkluzione për reformën në drejtësi, gjatë mbledhjeve të komisionit. Ty, Vasilikë t’u deshën dy vite që bashkë me Ulsiun, t’i kuptonit këto. Ti dhe kolegët e tu, duhet të merrni përgjegjësinë për rrëmujën katastrofale në drejtësi, që keni shkaktuar me mendjelehtësinë tuaj dhe duke injoruar paralajmërimet e opozitës”, tha Bylykbashi.

Votimin e ligjit të magjistraturës, opozita e lexon si një tentativë të qeverisë për të kapur në mënyrë afatgjatë drejtësinë në vend, që aktualisht është në kolaps, pasi nuk funksionojnë as Gjykata e lartë dhe as ajo Kushtetuese.

“Vasilikë, nuk mund t’i kërkosh opozitës të jetë e përgjegjshme e të votojë që të kompletojë sistemin e kapjes politike të drejtësisë prej jush, e të bëhet palë. Meqë nuk ju funksionoi mekanizmi i kapjes afatgjatë tek Magjistratura, kërkoni që t’ju ndihmojë opozita?! A je e përgjegjshme për këtë kërkesë Vasilikë?!”, u shpreh deputeti i PD-së.

Bylykbashi theksoi në deklaratën e tij se Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për t’u anëtarësuar në BE, që nuk ka as Gjykatë të Lartë, as Gjykatë Kushtetuese dhe asnjë institucion kushtetues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA