Roberto Saviano ka qenë që prej fillimit “një gur në këpucën” e Matteo Salvinit, të cilin e ka shënjestruar ashpër për politikën e tij të rreptë ndaj emigrantëve. Ministri i Brendshëm italian megjithatë thotë se nuk ka ndërmend që t’i tolerojë më akuzat e shkrimtarit të njohur për lidhje me mafian, ndaj dhe ka depozituar një padi penale kundër tij.
Veprat e Savianos kanë ekspozuar lidhjet e Kamorrës me ndërtimin, botën e modës, tregtinë e paligjshme të drogave, por edhe mbetjet toksike dhe e bëjnë atë përgjegjës për faktin që rajoni i Kampanjas ka nivelin më të lartë të vrasjeve në Europë.
Për shkak të kërcënimeve të panumërta që ka marrë ndaj jetës së tij, Saviano është vendosur nën mbrojtjen e policisë dhe është pikërisht autori që i njeh mirë problematika të tilla njeriu që ka akuzuar Salvinin për lidhje me mafian. Gjithçka nisi kur ministri i Brendshëm deklaroi se jo të gjithë ata që mbrohen nga policia e meritojnë mbështetjen e saj dhe propozoi rishikimin e të gjitha eskortave policore. Kjo e nxiti Savianon ta quante “një bufon” dhe “ministër të botës së nëndheshme”.
Kritik i betuar i Salvinit dhe politikave të tij antiemigracion, shkrimtari postoi këtë javë në Twitter foton e trupave të pajetë të një gruaje dhe fëmijës së saj, të mbytur në Mesdhe, duke e shoqëruar me mesazhin: “Sa kënaqësi mund t’i japë ministrit të Brendshëm kjo pamje dhe urrejtja që ke mbjellë do të të përmbysë”.
Salvini vendosi ta hidhte në gjyq për akuzat e tij të lidhura me mafian, sepse, siç tha ai, pranon çdo lloj kritike, por pretendime të tilla jo.
Top Channel