Vala e të nxehtit afrikan do të përfshijë vendin tonë këtë fundjavë. Meteorologët parashikojnë që temperaturat të arrijnë deri në 38 gradë celsius.
“Duke bërë që temperaturat të jenë nga 5 deri në 7 gradë mbi maksimumin e muajit korrik, por megjithatë ne mbetemi në periferi të këtij të nxehti duke mos arritur deri në 40 gradë celsius. Kjo valë e të nxehtit është afatshkurtër dhe të hënën presim që të tërhiqet dhe të kemi një rënie të ndjeshme me 4 apo 5 gradë të temperaturave”, thotë meteorologia Tanja Porja.
Fillimi i javës rikthen reshjet e shiut dhe vranësirat, por kjo deri në mesjavë pasi pothuajse i gjithë dhjetë ditëshi i fundit i muajit korrik, madje dhe fillimi i muajit gusht parashikohet të jetë me temperatura të larta.
“Ndërkohë, nga e enjtja do të kemi sërish rritje të temperaturave, të cilat do të shkojnë deri në 37 gradë celsius. Edhe 10-ditëshi i parë i gushtit do të ketë temperatura relativisht të larta”, thotë meteorologia.
Për të gjithë ata që kanë planifikuar pushimet në këtë periudhë meteorologët thonë se do të kenë mot të mirë dhe pse me temperatura që i kalojnë ato tipiket të këtyre muajve në vendin tonë.
Top Channel