Në fund të gushtit në Durrës do të organizohet një samit i Ballkanit Perëndimor, pas atij të Londrës, për t’i paraprirë atij të Poznanit në Poloni vitin e ardhshëm.
“Në këtë frymë, në vijim të Samitit dhe në përgatitje të Samitit të vitit të ardhshëm në Poznan, Shqipëria do të organizojë në fund të muajit gusht një Samit të Ballkanit Perëndimor, në bashkëpunim me Presidencën austriake të BE dhe me Komisionin Evropian. Përveç liderëve të rajonit, do të marrin pjesë edhe vende si Polonia në kapacitetin e vendit pritës së Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit, si dhe Bullgaria, Sllovenia e Kroacia”, tha ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në komisionin e Jashtëm Parlamentar.
Ai informoi dhe për procesin përgatitor për çeljen e negociatave ku tha se tani është përcaktuar një kalendar konkret takimesh deri në qershorin e 2019, për çdo kapitull të acquis si dhe struktura bazë e koordinimit politik dhe teknik të këtij procesi.
“Dëshiroj të theksoj se përmes këtij procesi kapilar e transformues jo vetëm në kuptimin ligjor e institucional por edhe ekonomik e shoqëror, vendi hyn në një rrugë të pakthyeshme ku dallimi mes “kombëtares” dhe “evropianes” fillon e fashitet, duke normuar kësisoj sjelljen dhe veprimtarinë institucionale në përputhje me acquis communaitaire”, tha z. Bushati.
Ndërsa për samitin e NATO-s, Bushati bëri të ditur se u vlerësua kontributi i Shqipërisë në operacionet e Aleancës dhe jo vetëm. “Më konkretisht, Shqiperia renditet e 9-ta sa i përket angazhimit të saj në të gjitha operacionet dhe misionet jashtë vendit në përputhje me GDP-në e vendit për vitin 2017”, tha ai. Shqipëria ka hartuar një Plan Veprimi konkret, i cili parashikon që deri në 2024, vendi të përmbushë angazhimin e marrë në Samitin e Uellsit, për të shkuar në vlerën 2 % te GDP-së për Mbrojtjen.
Top Channel