Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati nuk jep një afat për përfundimin e bisedimeve me Greqinë por thotë se grupet negociatore janë duke shqyrtuar tre projekt marrëveshje, atë të kufizimit detare, të piramidave, dhe menaxhimit të incidenteve kufitare.
“Kemi një marrëveshje në diskutim, draft marrëveshje për kufizimin e zonave detare dhe dy projektmarrëveshje në diskutim, një për piramidat dhe tjetra për menaxhimin e incidenteve kufitare. Ne shpresojmë që me tre projekt-marrëveshjet e mbyllim gjithë çështjen që është në diskutim”, tha Bushati.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vijë e kuqe për ne tha ministri, por jo për Greqinë. “Në rastin e Shqipërisë mendoj se kemi plus në raport me Greqinë që është vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ofron një libër rregullash se çfarë duhet të bërë. Ne i kemi qëndruar me besnikëri këtij vendim, qoftë në aspektin procedural te pajisja e grupit negociator me plotfuqi dhe në aspektin substancial. Nga ana tjetër, duhet të jemi realist dhe nuk mund ta ushqejmë opinionin publik me iluzione të rrejshme. Vendim i i Gjykatës Kushtetuese është imponues dhe vijë e kuqe për ne, dhe nuk është e njëjta gjë për Greqinë. Nuk ka humbur Greqia as një luftë me ne dhe as ne me Greqinë që vendimi i një Gjykate të ketë efekt dhe në vendin tjetër.”, vijon Bushati.
Një tjetër autorizim do të duhet nga Presidenti, dhe këtë herë për firmosjen në tërësi të marrëveshjes me shtetin grek. “Ligji është i qartë për çdo raund bisedimesh pavarësisht se ligjin nuk e kërkon, Ministria e jashtme i ka bërë raport me shkrim Presidentit të Republikës dhe kryeministrit. Në momentin që do të hidhen negociatat në planin teknik më pas në bazë të ligjit do kërkojmë Presidentit autorizim për firmosjen e kësaj marrëveshje. Por pavarësisht si është raportuar negociata nuk kanë përfunduar, jemi proces bisedimesh”,thotë Bushati.
Top Channel