Akademia e Sigurisë çel aplikimet për të ndjekur studimet për Patrullë të Përgjithshme, më 20 korrik.
Aplikimi do të bëhet pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm. Procesi i aplikimit është i hapur deri në 20 Shtator 2018 dhe formularët e aplikimit mund të tërhiqen pranë çdo Drejtorie Vendore të Policisë.
Në përfundim të të gjithë procesit të konkurrimit do të përzgjidhen 150 kandidatë fitues, të cilët do të vazhdojnë Shkollën Bazë të Policisë, nga të cilët 19 % për gjininë më pak të përfaqësuar dhe 1.9% për minoritetet.
Kur nuk plotësohet kuota e përcaktuar për gjininë më pak të përfaqësuar dhe minoritetet do të merren në rend zbritës aplikantët, të cilët përfaqësojnë po këto kategori, por që duhet të kenë arritur minimumin e pikëve për t’u shpallur fitues.
Kriteret, që duhet të përmbushë aplikanti për të ndjekur studimet në Akademinë e Sigurisë Kolegji i Lartë Profesional “Kolegji i Policisë” për “Patrullë të Përgjithshme” janë:
– të jetë shtetas shqiptar;
– të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, apo të jetë larguar nga shërbimi civil;
– të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
– të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
– të ketë mbaruar arsimin e mesëm;
– të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose kundravajtje penale me dashje;
– të jetë i pajisur me vërtetim besueshmërie;
– të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”.
Dokumentacioni për aplikim:
Aplikantët për punonjës policie duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
– formularin e aplikimit;
– fotokopje të kartës së identitetit;
– dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit;
– fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
– certifikatë të gjendjes gjyqësore;
– vërtetim nga gjykata;
– vërtetim nga prokuroria;
– raport mjeko-ligjor;
– fotokopje të librezës së punës ose vërtetim që ndjek arsimin e lartë (nëse i disponon);
– dokument të lëshuar nga institucionet shëndetësore, që vërteton se nuk është përdorues i lëndëve narkotike;
– mandat pagesën e tarifës së aplikimit.
Strukturat e Burimeve Njerëzore pranë Drejtorive Vendore të Policisë do t’u japin të gjithë aplikantëve formularin e aplikimit, informacionin e nevojshëm për procedurat, kërkesat dhe çdo lloj testimi e verifikimi, si dhe për ushtrimin e të drejtës së apelimit.
Top Channel