Eurokomisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn çel sot zyrtarisht punën përgatitore në Tiranë për çeljen e negociatave.
Johanes Hahn ndalon sot për rreth 2 orë në Tiranë për të udhëtuar më pas drejt Shkupit me qëllimin të asistojë procesin përgatitor të nisjes eventuale të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Komisioneri Europian i Zgjerimit e kishte paralajmëruar këtë vizitë gjatë samitit të Londrës. Ajo vjen pikërisht pas vendimit të Këshillit Europian për t’i hapur rrugën e negociatave Shqipërisë dhe Maqedonisë nga qershori 2019, e kjo fazë, duhet të shërbejë si një dritare kohore përgatitjesh të nevojshme për këtë proces.
Njoftimi zyrtar në faqen e Hahn tregon se eurokomisioneri do të çelë kësisoj zyrtarisht punën përgatitore, apo siç njihet ndryshe procesi “screening”.
“Është patjetër e nevojshme që të bëjmë një lloj inventari se ku ndodhet vendi përkatës kandidat në të gjitha aspektet e tij juridike në krahasim me gjendjen juridike në BE, dhe në bazë të gjendjes të caktojmë objektin e negociatave”, pati sqaruar ai në një intervistë të dhënë përpara nisjes.
Ka për të qenë një pune e madhe, sipas zyrtarit të larte europian, rezultatet e së cilës do të varen shumë nga angazhimi i dy vendeve për të kontribuar.
Axhenda parashikon takime me presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama me të cilin do të mbajë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp, dhe përfaqësues të qeverise shqiptare tek Pallati i Kongreseve, por jo me krerët e partive politike siç bëri në Shkup, çka nënkupton se nuk do të ketë një takim me liderin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Në kryeqytetin maqedonas nga ana tjetër, ndryshe nga rasti i Metës, me të cilin pritet të diskutojë edhe negociatat me Greqinë, ai nuk u takua me kryetarin e shtetit Gjorgje Ivananov.
Top Channel