Ndotja dhe nafta që i sëmur, rrëfimi i banorëve të Patos-Marinzës

16/07/2018 19:43

Margarita Mita është nëna e 40-vjeçarit të paralizuar, problemet e rënda shëndetësore të të cilit kanë filluar 27 vite më parë.

“Vetëm shikimi i ka mbetur, është tërësisht i paralizuar. Ishte afër puseve dhe që atëherë nuk e mori më veten. Vajti deri në klasën e pestë, por nuk arriti dot më tej. Shkova sa te një doktor, te një tjetër, pati temperaturë të lartë, i preku trurin. Nuk gjen familje të mos ketë të sëmurë në Marinzë”, thotë Margarita.

Edhe nipi i saj që jeton në Greqi ka probleme me frymëmarrjen, sa herë vjen të vizitojë gjyshërit.

“Nga era e naftës dhe gazit ndiej një si sëmundje. Kam pyetur edhe kushërinjtë e mi që vijnë nga Greqia, edhe ata kanë probleme të ngjashme”, thotë ai.

Në një tjetër familje, 4 pjesëtarët janë diagnostikuar me 3 sëmundje të ndryshme. Dy fëmijët, vajza 32 dhe djali 29 vjeç kanë probleme të rënda mendore, ndërkohë që kryefamiljari Tajar Tafa vuan nga sasia e lartë e karbonit në gjak, ndërsa bashkëshortja e tij vuan nga astma.

“Të katërt jemi të sëmurë prej ndotjes së ambientit. Në mëngjes ndien një ajër shumë të keq, bllokohemi nga frymëmarrja. Nuk dalim dot jashtë. Pasditeve ose në darkë nuk rrimë dot brenda. Uji pastaj është i pijshëm, sepse e blejmë përditë. Uji që kemi ne nuk konsumohet. Edhe prodhimet bujqësore janë të hidhura nga ndotja e ambientit”, thotë bashkëshortja.

Pasojat e ndotjes nga mbetjet hidrokarbure prekin 2.700 banorë, që jetojnë në zonën naftëmbajtëse Patos-Marinzë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA