Një tjetër skemë mashtrimi dyshohet me barnat me rimbursim. Bëhet fjalë për afro dy miliardë lekë, të cilat nuk dihet se ku janë shpenzuar.
Sipas raportit të Kontrrolit të Lartë të Shtetit, në qershor të vitit 2017 Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka alokuar dy miliardë lekë shtesë, pasi kishte planifikuar rritje të numrit të pacientëve kronikë, të cilët përfitojnë barna me rimbursim.
Por, nga auditi ka rezultuar se në këtë periudhë, jo vetëm që nuk ka pasur rritje të numrit të pacientëve, por ulje të tyre. Vetëm në Qendrën Spitalore Universitare ka pasur një rritje të numrit të recetave me 3.4%, shifër që sipas ekspertëve të KLSH-së nuk e justifikon fondin e alokuar.
“Ajo që ka ndodhur është se, është parashikuar që të rritet numri i pacientëve kronikë, por në fakt nga auditimi ynë është konstatuar që kemi një rënie të numrit të pacientëve krahasuar me vitin 2016, në masën 720 pacientë. Pra, kemi rialokim të paligjshëm në masën dy miliardë lekë për rimbursimin e barnave dhe nga ana tjetër, rritja e numrit të recetave me 3.4% nuk e justifikon këtë rritje të kësaj shume të rialokuar për rimbursim”, tha Rinald Muça, drejtor i Departamentit të Auditimit të Performancës në KLSH.
Kontrroli i Lartë i Shtetit e quan keqmenaxhim të fondeve, për sa kohë nuk dihet se ku kanë shkuar këto parà, të cilat i kanë rritur shpenzimet për rimbursimin e barnave nga qershori i 2017-s e në vazhdim me rreth 23%.
Por, sipas zotit Muça, ky raport i është dërguar Prokurorisë për të nisur një hetim më të detajuar, ndërkohë që edhe vet KLSH-ja pritet të nisë një tjetër audit për të gjetur destinacionin e afro dy miliardë lekëve.
Top Channel