Jeta jashtë profilit publik e Armand Dukës, sekretet e presidentit të FSHF-së

16/07/2018 18:52

Armand Duka presidenti i FSHF është prezantuar në një intervistë krejt ndryshe nga zakonisht me Ori Nebiaj në emisionin “Pushime on Top”. Në një rrëfim të rrallë për familjen, sipërmarrjen dhe pasionet.

Deti është një nga dashuritë Dukës për të cilin tha se nuk dëshiron që të mos mungojë kurrë, qoftë edhe për një shëtitje buzë detit, por e shikon vetëm si moment qetësie jo romanticiteti.

Për familjen thotë se nëse do kishte diplomë për sjelljen do ishte ngelëse, kjo për shkak se ndoshta nuk mundet të gjejë shumë kohë për të qëndruar me ta. Me rritjen e fëmijëve, thotë se familja është në një fazë të re dhe i mungojnë pushimet me fëmijët. “Na e konsiderojnë si favor kur iu kërkojmë unë dhe bashkëshortja të pushojnë me ne. Duan që të pushojnë vetë me miqtë e tyre. Ende se kemi vendosur si do jenë pushimet tona këtë vit”.

Babai i një vajze dhe një djali nuk bën diferencime për më të preferuarin fëmijë. Për shkak të angazhimeve publike ka ndjerë mungesën e angazhimit në familje, pjesë e cila është mbuluar me shumë sukses nga Suela, bashkëshortja e zotit Duka.

Pushimet e zotit Duka kanë qenë në mal e në det, brenda dhe jashtë Shqipërisë, por thotë se zgjedhja e tij e zemrës është deti i Shqipërisë.

Zoti Duka, duke folur për jetën e tij personale, tregoi se është aktiv së fundmi edhe në rrjetet sociale. “Kam hapur “Instagram” dhe e menaxhoj vetë. Jam munduar të mos hedhë foto personale me familjen apo jetën private, pasi nuk kam sukses me postime të jetës private”, ndër të tjera shton se nuk përdor as filtra.

Nuk mund të qëndronte larg komenteve dhe si sipërmarrës. I pyetur për marrëdhënien me paranë apo milionin e parë, kujton vitin 1991 kur gjithçka ishte informale.

“Jeta është e pamjaftueshme që të të mësojë të korrigjosh gjithçka”, u shpreh ai kur foli për ato që mund të quhen dështime në jetën e tij.

Sa i përket Kombëtares së futbollit, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit shprehet se kjo skuadër është në pikë kritike dhe se ai shpreson që gjithçka të kthehet shumë shpejt në nivele të larta.

Armand Duka ka shpjeguar edhe perse zgjodhi te votojë pro Marokut për Botërorin 2026 dhe jo SHBA, Kanada dhe Meksike. “Nuk kam votuar kundër SHBA. Dua të them që vendet e mëdha dhe të zhvilluara kanë organizuar shumë kupa bote, për shembull, Europa ka zhvilluar 8 të tilla. Afrika i ka dhënë shumë futbollist të mirë kësaj loje dhe mendoj se duhet ta kishin mundësinë që pse jo të bëhej një kampionat në Marok”.

Sa i përket ditës së largimit nga FSHF nuk jep datë, por thotë se ajo ditë do të vijë. Mohon angazhimin e mëparshëm në politikë sepse nuk ka qenë ambicia e tij, por lë shtigje të hapura duke theksuar se; “ kurrë mos thuaj kurrë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA