Geta Beqa mban në shtëpi më shumë se 10 kupa. Ka një trup perfekt. Gjithashtu ka një familje të lumtur bashkë me të cilën ka zgjedhur të pushojë në Dhërmi. Mamaja e tre fëmijëve, për herë të parë u shfaq në një intervistë me bashkëshortin e saj Asdren Ahmetin në emisionin “Pushime on Top”.
Përveç dashurisë, ajo çfarë i bashkon ata të dy është pasioni dhe dëshira për të pasur një trup të bukur dhe në formë. “Kemi dashur ta mbajmë sa më private familjen prandaj nuk kemi dal bashkë në intervista” thanë ata.
Asdreni tregoi se ka qenë mbështetje gjithmonë për Getën. Ata kanë 15 vite të martuar dhe kanë tre vajza. Ai tregoi se bashkë me vëllain e Getës kanë më shumë se 15 vite që merren me bodybuilding.
Duke folur për atë se çfarë e bën të veçantë gruan e tij si profesioniste e Wellness Fitnnes tha “ajo ka talentin, nuk lodhet nga stërvitja dhe është një vajzë që brenda një viti ka arritur të marrë të gjitha kupat e mundshme në botë. Edhe në garën e radhës që do zhvillohet në vjeshtë në Kinë, Geta është pretendetja kryesore”.
Geta tha se nuk e ka menduar kurrë se do të arrinte në këto nivele. “Kur fitova kupën e botës nuk e besoja dot. Ishte një moment emocionues që më ka mbushur shumë jetën time” tregoi Geta.
Sfida e disiplinës “wellness fitness” që aplikon Geta është që një femër të realizojë një trup me linja perfekte, por pa humbur pjesën e bukurisë femërore. Duke shpjeguar si ia ka dalë të krijojë trupin e saj ajo tha se gjithçka lidhet me pasionin. “Unë e dua shumë këtë që bëj” tha kampionia e botës.
Geta tregoi se jugu i Shqipërisë është vendi më i dashur për pushime, por e vetmja gjë që i mungon këtu është palestra që thotë se e zëvendëson me ushtrime në plazh, megjithëse një pjesë të pajisjeve i ka marrë me vete.
Ndërsa Geta si mama tha se parësore për të është edukimi i mirë i fëmijëve, sigurisht edhe pjesa sportive.
Surpriza të reja priten shumë shpejt nga Geta Beqa. Një aplikacion i cili do të vijë në ndihmë të çdokujt që dëshiron të mbajë trupin në formë. Të gjitha xhirimet e këtij aplikacioni janë bërë në plazhet e Shqipërisë çka do të jetë një reklamë e mirë për vendin tonë në të gjithë botën. Por ka diçka që Shqipëria ende s’ja ka dhënë kampiones së botës, pasaportën shqiptare. “Kam aplikuar dhe jam në pritje. Është vërtetë e lodhshme për ne sportistët të bëjmë stërvitje, lodhje e gjithçka dhe në fund të jesh në ankth nëse do të marrësh vizën apo jo”.
Top Channel