Presidenti amerikan Donald Trump tha se ka pritshmëri të ulëta për takimin me homologun e tij rus Vladimir Putin në Finlandë të hënën.
Por ai deklaroi për televizionin CBS se asgjë e keqe dhe mbase diçka e mirë do të jetë rezultati i takimit. Trump gjithashtu shtoi se do të ngrejë edhe çështjen e 12 rusëve të paditur për sulme kibernetike gjatë zgjedhjeve të 2016s në SHBA, por tha se nuk ka menduar të kërkojë ekstradimin e tyre, diçka që mund ta bëjë. ndërkohë ka pasur thirrje që Trump të anulojë takimin me Putin pas paditjes së rusëve që janë të gjithë zyrtarë të shërbimeve të inteligjencës.
Rusia i mohon akuzat, por këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare Xhon Bolton tha se është e vështirë të besosh që Putin nuk kishte dijeni për sulmet kibernetike. Megjithatë, Bolton tha se presidenti do të dëgjojë përgjigjen e putin dhe do të niset nga aty. Duket se i këtij mendimi është edhe Trump.
“Unë besoj tek takimet. Takimi me Kim Jong Un ishte diçka e mirë. Po ashtu edhe takimet me presidentin kinez. Asgjë e keqe nuk vjen nga takimi me Putin, mbase do të kemi diçka të mirë”, tha Trump.
Trump shtoi se nuk e di se çdo të ndodhë gjatë takimit, por tha se do të flasë me Putin për të gjitha çështjet që ka përmendur me herët, pasi dialogu është baza e zgjidhjes së problemeve.
Ndërkohë protestat nga Anglia janë transferuar në Finlandë këtë herë jo vetëm kundër Trump, por edhe kundër takimit të tij me Putin. Protestuesit në Helsinki i kërkuan Trumpit që të përqendrohet tek çështja e të drejtave të njeriut.
Top Channel