Prej më shumë se një muaji, frekuentuesit e zonës të liqenit artificial, përveç kujdesit shëndetësor që përpiqen të tregojnë ndaj vetes, kanë një ekip të bluzave të bardha në gatishmëri për çdo të papritur.
“Pjesa më e madhe e personave vijnë, tashmë e kanë kuptuar që liqeni ka një ekip mjekësor dhe vijnë njoftojnë që kemi nevojë për ndihmë, e ne shkojmë shikojmë ç’problem ka. Por ka edhe disa raste kur jemi njoftuar nëpërmjet numrit. Në momentin që merr një telefonatë, ekipi mjekësor me biçikleta, i mbështetur edhe nga kolegët tanë të bashkisë, kemi bërë të mundur që në kohë rekord të ofrojmë ndihmën e parë”, shprehet Drilon Kamishi, mjek.
Mjekja Amelita Ismalaja na tregon se, deri më tani dy janë personat që kanë qenë në gjendje të rënduar, një grua rreth të 60-ave dhe një shtetase e huaj, ku falë pranisë së ekipit mjekësor te liqeni, ndërhyrja e menjëhershme u ka shpëtuar jetën. Më pas janë dërguar në spital.
Por, cilat janë rastet më të shpeshta që hasin çdo ditë?
“Fëmijët, të cilët mund të luajnë te parku i lojërave dhe mund të kenë ndonjë dëmtim të vogël, ose rrëzohen nga biçikleta dhe kërkojnë ndihmën e parë. Gjithashtu s’mund të lëmë të moshuarit, të cilët mund të kenë ndonjë gjendje të fikti, ose vijnë thjesht për të matur tensionin”, thotë Amelita Ismalaja, mjeke.
70-vjeçari Qazim Gurmani ishte një prej të moshuarve që nuk u ndie mirë. Hipertensioni është një vrasje e heshtur, – tregon mjeku, – ndaj janë të nevojshme kontrollet e matjet e tensionit të herëpashershme.
“Më rri tensioni i lartë, ka mbi 20 vite edhe ha kokrrat, ultimozonin ha. Mbrëmë natën për shembull nuk kam fjetur gjumë dhe e kam matur në mesnatë”, thotë Qazim Gurmani.
Zona e parkut të liqenit është pikënisja e kësaj nisme të organizatës “ARC”, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, të cilët besojnë se me kohën, nisma do të shtrihet edhe më gjerë.
Top Channel