Numri i viktimave civilë të vrarë në luftën e stërgjatë në Afganistan ka arritur një nivel të lartë rekord në 6 muajt e parë të këtij viti, sipas Kombeve të Bashkuara.
Rreth 1.692 të vdekur janë regjistruar, teksa sulmet e militantëve islamikë dhe vetëvrasjet me bomba thuhet të jenë shkaqet kryesore të vdekjeve.
Shifrat e konfliktit që ka nisur në vitin 2001 janë më të lartat, që kur Kombet e Bashkuara nisën të mbanin shënim në vitin 2009. Sulmet e fundit, të marra përsipër nga talebanët dhe militantët e grupeve xhihadiste, si Shteti Islamik, kanë shkaktuar me qindra viktima anembanë vendit.
Raporti i hartuar nga Misioni i Asistencës së Kombeve të Bashkuara në Afganistan (Unama) thekson se numri i vdekjeve është rritur me një për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjithsesi, raporti në fjalë shton se të plagosurit janë ulur me 5%, në rreth 3.430 persona; ndërsa numri totali viktimave (që përfshin të vdekurit dhe të plagosurit) ka rënë me 3%, në 5.122.
Numri i lartë i viktimave ka ardhur pavarësisht armëpushimit të paprecedentë të arritur mes forcave afgane të sigurisë dhe talebanëve, muajin e kaluar, që u respektua përgjithësisht nga të dyja palët, thekson “UNAMA”.
Më herët gjatë këtij muaji, udhëheqësit e NATO-s u mblodhën në Samitin e Brukselit për të diskutuar edhe mbi konfliktin në Afganistan. Shtetet e Bashkuara njoftuan se po planifikonin një rishikim të strategjisë, një vit pasi presidenti Donald Trump ra dakord të mbetej i përfshirë në konfliktin 17-vjeçar.
Top Channel