Pudra u shkaktoi tumor në vezore, dëmshpërblehen me 4.7 mld USD gratë paditëse

13/07/2018 08:46

“Johnson & Johnson” është urdhëruar t’i paguajë 4.7 miliardë dollarë dëme 22 grave, që pretendojnë se produktet e tij të pudrës kanë bërë që ato të preken nga kanceri në vezore.

Një juri në shtetin amerikan të Missourit, fillimisht dha 550 mijë dollarë kompensim dhe shtoi 4.1 miliardë dollarë për shkaktim dëmi. Vendimi vjen në një kohë kur gjiganti farmaceutik po përballet me rreth 9 mijë padi penale, që kanë të bëjnë me pudrën e tij.

Sidoqoftë, kompania ka thënë se është e zhgënjyer dhe se planifikon të apelojë kundër vendimit. Në gjyqin gjashtëjavor, gratë dhe familjet e tyre thanë se ato ishin prekur nga kanceri në vezore, pasi kishin përdorur pudrën për bebe dhe produkte të tjera pudreje prej dekadash.

Avokati i tyre tha se kompania e dinte se pudra e saj ishte e prekur nga “asbestos”, që në vitet 1970, por nuk kishte paralajmëruar konsumatorët për rrezikun. Kompania mohoi që produktet e saj të kenë pasur ndonjëherë “asbestos” dhe këmbënguli se ato nuk shkaktojnë kancer.

Gjiganti farmaceutik shtoi gjithashtu se disa studime kanë treguar se pudra e tij është e sigurtë dhe ka këmbëngulur se vendimi ishte produkt i një procesi tërësisht të pandershëm.

Kjo është shuma më e madhe që “Johnson & Johnson” është detyruar të paguajë. Një vendim i mëparshëm në vitin 2017, nga një juri kaliforniane, i kishte dhënë 417 mijë dollarë një gruaje që tha se ishte prekur nga kanceri në vezore, pasi kishte përdorur produktet e kompanisë.

Sidoqoftë, më pas një gjykatës e rrëzoi vendimin, ndërsa disa sfida të tjera ligjore nga kompania ende nuk janë përmbyllur. Pagimi i dëmeve shpesh reduktohet nga gjykatësi, apo edhe nga Apeli, e “Johnson & Johnson” ia ka dalë që të sigurojë rrëzimin e vendimeve të disa jurive, në disa raste duke u mbështetur te termat teknikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA