Një javë përpara se të mbërrijë në Tiranë, bashkë me ekipin e tij, për të vënë në jetë zbatimin e reformave të kërkuara nga BE-ja për çeljen e negociatave vitin e ardhshëm, Komisioneri Johannes Hahn u shfaq në krah të kryeministrit shqiptar Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp në Bruksel.
Hahn u shfaq optimist për ecurinë e reformave nga Tirana zyrtare, për atë që e quajti qëllim të përbashkët.
“Komisioni Europian do të vazhdojë të ndjekë zbatimin e reformave për hapjen e negociatave për vitin e ardhshëm. Do të bëhet gjithçka për të ecur përpara me hapat e parashikuar për negociatat. Ne do të jemi edhe në Tiranë. Do të flasim me qeverinë dhe opozitën. Do të arrijmë këtë qëllim për shoqërinë shqiptare. Është qëllim i përbashkët, që na përket të gjithëve”, tha Johannes Hahn, Komisioneri për Zgjerimin.
“Jemi të gatshëm të nisim përgatitjet për hapjen e negociatave dhe të përmbushim gjithçka na është kërkuar. Nuk do të humbasim asnjë moment, edhe pse na presin muaj të vështirë përpara. E rëndësishme është që pamë një numër shumë të madh vendesh të BE-së që njohën meritat e Shqipërisë, pasi 25 vende ishin për hapjen e menjëhershme të negociatave”, tha Edi Rama, kryeministër.
I pyetur nëqoftëse një marrëveshje me Greqinë fqinje do të përshpejtonte hapat për Shqipërinë drejt BE-së, Komisioneri Hahn u përgjigj:
“BE-ja nuk pranon asnjë vend që ka konflikte me ndonjë fqinj. Ka pasur keqkuptime për vijën kufitare, besoj se do të zgjidhet brenda dy javësh”.
Top Channel