Kontrolli i pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka qenë prioriteti kryesor i punës së ILDKPKI-së gjatë vitit 2017.
Shkëlqim Ganaj, kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, pohoi para Komisionit të Ligjeve se të dhënat janë mjaft shqetësuese, pasi gjysma e njerëzve të drejtësisë rezultojnë me probleme.
“Rezulton që 50% e tyre të kenë probleme, qoftë për fshehje të pasurive, qoftë për deklarime të rreme, qoftë për raste të konfliktit të interesit. Është një numër shqetësues, jashtëzakonisht i lartë. Vetëm për pjesën e pasurisë, aq sa ne jemi të lejuar të bëjmë, shifra është arritur te 50.1%”, tha Ganaj.
Kjo shifër mund të jetë edhe më lartë nga kontrollet shtesë që ushtrojnë organet e vettingut, pohoi më tej kryeinspektori. Bazuar mbi të dhënat që disponon, Shkëlqim Ganaj tregoi se vitin e ardhshëm, sistemi i drejtësisë rrezikon një ngërç edhe më të madh.
“Pjesa e gjyqtareve të Apelit është pjesa me përqindjen më të lartë të problematikës. Duke parë që Gjykata Kushtetuese është jashtë funksioni, Gjykata e Lartë është me mangësi të mëdha, unë mendoj që vitin tjetër ne do të jemi edhe pa Gjykatë Apeli me këtë trend, që të paktën duket nga të dhënat e para”, theksoi më tej Ganaj.
I pyetur se përse rezultatet e ILDKPKI-së nuk janë përputhur gjithmonë me ato të organeve të vettingut, Ganaj tha se për shkak të limiteve ligjore, Inspektoriati është shumë më i kufizuar në kontrolle sesa KPK-ja.
“Inspektoriati është i kufuzuar në atë që bën, ata janë të pakufizuar. Ne mund të kontrollojmë vetëm në pak kohë, ata nuk kanë as kufi kohor”, tha ai.
Ganaj tha se pasuritë e njerëzve të drejtësisë do të vijojnë të jenë prioritet i ILDKPKI-së edhe gjatë vitit 2018, ku pas Apelit, fokusi pritet të kalojë te Shkalla e Parë e Gjyqësorit.
Top Channel