Presidenti amerikan Donald Trump u prit në Pallatin Blenhajm nga kryeministrja britanike Theresa May, në ditën e tij të parë të vizitës në Mbretërinë e Bashkuar.
Darka e “kollareve të zeza”, me 150 të ftuar, pritet që të fokusohet në marrëdhëniet tregtare pas Brexit.
Trump shkeli tokën britanike në Londër me fjalët se ndihet “komod” me protestat që zhvillohen gjatë vizitës së tij, duke shtuar se britanikët “e pëlqejnë shumë atë”.
Duke folur më herët gjatë Samitit të NATO-s, Trump, i cili mbërriti në ishull vetëm pak para orës 15:00 të së enjtes, iu referua Britanisë si një “hot spot” tejet i nxehtë për momentin.
Sigurisht, mbërritja e tij në Londër është shoqëruar me masa shtesë sigurie, për më tepër që duhet të monitorohen dhe të sigurohet mbarëvajtja e disa protestave të planifikuara që do të shoqërojnë vizitën e tij.
Trump, i cili do të takohet edhe me Mbretëreshën Elisabeth II gjatë vizitës dyditore të punës, u shpreh: “Mendoj se më pëlqejnë shumë këtu në Britani, për më tepër mendoj se ata bien dakord me mua sa i përket emigracionit. Ju po e shihni se ç’po ndodh anembanë botës me emigracionin. Mendoj se kjo është arsyeja pse ndodhi edhe Brexit”.
Ai u shpreh se populli britanik “votoi për t’u shkëputur, kështu që kjo është edhe ajo që pres të ndodhë”, teksa theksoi me ton tjetër faktin se “Brexit është Brexit”.
Trump është vënë në qendër të kritikave kohët e fundit për shkak të politikës së tij për emigracionin, që rezultoi me ndarjen e fëmijëve nga familjarët e tjerë që hynin në mënyrë të paligjshme në SHBA.
Top Channel