Kenianët reaguan me mjaft zemërim në rrjetet sociale, kur morën vesh se 20 deputetë të vendit janë në Rusi për të parë disa ndeshje në kurriz të taksapaguesve.
Ata kishin planifikuar të shihnin 4 ndeshje, e fundit prej të cilave finalja e Botërorit, në një udhëtim dyjavor në Rusi që kushon mijëra dollarë.
Deputetët tërhoqën vëmendjen e kenianëve, kur postuan foto të tyre nga Rusia në rrjetet sociale.
Ministria keniane e Sportit nxitoi të shfajësohej dhe tha se kishte autorizuar udhëtimin për vetëm 6 deputetë, për të kuptuar sesi organizohen turne të tilla të mëdha, me që vendi po tenton të organizojë Botërorin e Atletikës në vitin 2023.
Por, shumë kenianë mendojnë se udhëtimi i deputetëve në Rusi ishte shpërdorim i parave, sidomos në një vend ku një person jeton me mesatarisht 150 dollarë në muaj.
Kritkat më të rënda ishin për senatoren Millicent Omanga, e cila kishte postuar foto para ndeshjes Kroaci-Angli, që e ndoqi “live”.
Kur udhëtojnë për punë, siç po tentohet të shitet ky udhëtim, deputetët kenianë përdorin klasin e parë dhe kanë një dietë prej 1.000 dollarësh në ditë. Deputetët kenianë janë nga më të paguarit në botë, pavarësisht se vitin e kaluar patën një shkurtim rroge prej 15%, në 6.100 dollarë në muaj.
Top Channel