Lulzim Basha riveshi kostumin e diplomatit, teksa iu bashkua diskutimeve për sfidat e NATO-s, organizuar në Uashington nga Instituti “Hudson”.
Ish-ministri i Jashtëm, kur Shqipëria u bë anëtare e Aleancës politiko-ushtarake të Atlantikut të Veriut, sot kryetar i opozitës, deklaroi se ka kërcënime të qarta dhe aktuale që e bëjnë NATO-n gjithmonë një domosdoshmëri.
Në këtë kuadër, ai vlerësoi riangazhimin për kontributin financiar prej 2% që anëtarët e saj duhet të japin.
“Çdo parà që mendohet se po kursehet, duke mos investuar më shumë në NATO, duke dobësuar fuqinë balancuese të NATO-s, do të çojë në destabilizim dhe probleme, rregullimi i të cilave do të kushtojë më shumë sesa kursimet e mosinvestuara në NATO më herët”, tha Basha.
Tonet diplomatike veshën mesazhin për rreziqet e jashtme, por edhe të brendshme të udhëheqësve autokratë, kur Basha deklaroi se sytë nuk duhen hequr asnjëherë nga Ballkani.
“Nëse historia na ka mësuar diçka rreth Ballkanit është se, siguria dhe rendi janë gjithmonë të brishta dhe të përkohshme. Çdo boshllëk i krijuar nga mungesa e vëmendjes dhe mungesa e përfshirjes, apo angazhimit të vendeve të Ballkanit nga NATO, do të mbushet nga forca jo aq miqësore dhe udhëheqës jo aq demokratë, që nuk kërkojnë stabilitet, që nuk kërkojnë vlera demokratike, të cilët nuk kërkojnë paqe në vende të tjera. Forca të tilla mund të jenë aktorë shtetërorë, organizata kriminale, ose rrjete terroriste”, deklaroi Basha.
“Dhe kur debatojnë të mëdhenjtë, të vegjlit nuk janë të qetë”, tha më tej Basha, duke iu referuar debateve të fundit në Samitin e NATO-s. “Kur djemtë e mëdhenj debatojnë, djemtë e vegjël janë të frikësuar”.
Top Channel