Arta Marku u paraqit në Kuvend, ku e prisnin që nga muaji prill, por nuk pranoi asnjë pyetje nga gazetarët.
Një përjashtim bëri me deputetët e opozitës, të cilëve iu përgjigj edhe për çështje që dilnin nga puna e prokurorisë gjatë vitit 2017.
“A ka patur deputetë apo ministra socialistë të cilët janë përgjuar?”, pyeti Paloka
“Ndërhyrjet e mia në çështje konkrete m’i ndalon ligji. Ju pyesni për çështje të karakterit konkret. Unë nuk kam informacion për këtë dhe nuk kam detyrim ligjor që ta kem këtë informacion”, u përgjigj Marku.
Opozita akuzoi Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme se ka abuzuar me emërimet, duke tejkaluar kompetencat. Paloka pyeti se mbi ç’bazë janë bërë emërimet dhe shkarkimet e drejtuesve të prokurorive.
“Çdo vendimmarrje imja kontrollohet nga gjykata dhe kushdo që nuk është dakord ka pasur të drejtë të ankohet në gjykatë. Vendimet e gjykatës kanë qenë në favor të vendimmarrjes sime”, u shpreh Marku.
Demokratët insistuan edhe për audiopërgjimim me protagonist të pretenduar vëllain e ministrit të Brendshëm. Paloka tha: “Kjo prokurori që duhet të hetonte Agron Xhafën veproi 4 ditë pasi ishte publikuar materiali. A e keni marrë kryeministrin Edi Rama ta pyesni lidhur me ekspertizën e deklaruar prej tij?”
“Nuk kam tagër ligjor që të kem informacion për çështje konkrete. Asnjë prokuror nuk mund të vijë këtu dhe të japë njoftime për çështje konkrete”, theksoi Marku.
Në raportimin e saj mbi punën e Adriatik Llallës, evitoi komentet duke cituar shifra, por ndryshe nga shumë drejtues institucionesh ndaloi disa herë duke pretenduar të dëgjohet.
Kur opozita u hodh në akuza politike, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja mbylli mbledhjen.
Top Channel