Javën e ardhshme, Johannes Hahn do të jetë në Tiranë e Shkup për të asistuar procesin përgatitor të nisjes së mundshme të negociatave me BE-në.
Siç pohon dhe vet në intervistën e dhënë “Deutsche Welle”-s, Komisioneri europian i Zgjerimit e konsideron të domosdoshem këtë lloj “inventari”.
“Duhet ta shohim patjetër se ku ndodhet vendi përkatës kandidat në të gjitha aspektet e tij juridike, në krahasim me gjendjen juridike në BE, e në bazë të gjendjes të caktojmë objektin e negociatave”, deklaroi ai.
“Kjo është një punë shumë e gjerë, – vazhdon Hahn, – dhe do të varet shumë sesa të angazhuar do të kontribuojnë të dyja vendet për këtë”.
Çështja e sundimit të ligjit mbetet një problem kyç për negociatat. Secili vend ka “detyrat e tij të shtëpisë” dhe Shqipëria, – thotë zyrtari i lartë europian, – në këtë drejtim ka shënuar arritje me reformën e saj të gjerë të drejtësisë, e cila tani ndodhet në fazën e zbatimit me asistencën ndërkombëtare.
Një gjë e tillë vlen në fakt për të gjitha shtetet e rajonit, veçanërisht për sa i përket rritjes së pavarësisë, cilësisë, profesionalizmit dhe të transparencës së drejtësisë, për të fituar edhe besimin e qytetarëve në këto institucione.
Kjo pasqyrohet në fund në tërheqjen e investorëve të huaj, kur ata mund të kenë besim te një drejtësi funksionuese dhe e pavarur. Hahn këmbënguli më tej se, nuk ka ngecje të “Procesit të Berlinit”, që siç thotë ai ka ofruar nisma mjaft të rëndësishme dhe ka dhënë shtysa të tilla, veçanërisht për sa i përket bashkëpunimit rajonal.
Top Channel