Në seancën e KPK, ONM-ja zbuloi se gjyqtari Admir Thanza ka qenë i dënuar për vjedhje në shtetin italian, të dhënë që nuk e ka deklaruar në formular.
“Admir Thanza ka qenë i dënuar nga shkalla e parë në Itali në vitin 1999 me 40 ditë burg dhe 100 mijë euro gjobë, për vjedhje në bashkëpunim me persona të tjerë”, ishte konkluzioni i lexuar nga KPK-ja.
Vetë gjyqtari Thanza është shprehur se e ka pranuar këtë ngjarje për nipin e tij.
“E pranova ngjarjen për djalin e vëllait. Nuk kuptova gjë me pas që do ishte gjobë. E bëra për familjen. Unë kurrë nuk do ta bëja dhe nuk e bëj dot. Nuk e imagjinoni ato skena të dhimbshme kur një xhaxha përjeton për djalin e vëllait të tij, nuk e deklaroj dot më shumë. Fale budallallëkut të ish-kunatës sime, pra nëse ish-kunata ime do ndahej fëmija do ngelet pa përkrahje. E mora përsipër jo për të shpëtuar kunatën, por për të mbrojtur nipin. Ai fëmijë është shpirti e jeta ime, vendsa të shkatërroja jetën time për atë fëmijë, ju sot mund të mendoni që unë e kam kryer, por po ju them që ai fëmijë është 28 vjeç. E sakrifikova jetën për të”, është përgjigjur me lot në sy Thanza.
Trupa vendosi që vendimi do të merret më 17 korrik.
Top Channel