Sigurohen fondet për hekurudhën Tiranë-Durrës

10/07/2018 22:21

Mbyllet përfundimisht sigurimi i fondeve për projektin e rindërtimit të hekurudhës Tiranë-Durrës, me degëzim drejt Rinasit.

Një hua prej rreth 36 milionë euro dhënë nga BERZH-i plotëson të gjithë financimin, i cili në total shkon në mbi 90 milionë euro.

Marrja e kredisë u miratua nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese me votat e mazhorancës, ndërsa opozita nuk merrte pjesë, ashtu siç po vepron duke bojkotuar edhe komisionet parlamentare dhe seancën plenare një ditë më parë.

Me kalimin e kohës zbardhen detaje të reja të projektit, si ajo e çmimit të biletës.

Artan Shkreli, zv/ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi: “Mendohet që bileta të kushtojë 1 deri në 2,2 euro”.

Sipas studimeve, parashikohen 500 mijë deri 600 mijë udhëtarë në muaj, ndërkohë që nuk përjashtohet që operimi i trenave të bëhet nga kompani private.

“Operatorët mund të jenë publikë apo privatë, por edhe një mundësi kombinimi të operatorëve”, tha Shkreli.

Tenderi ndërkombëtar për rindërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës është hapur dhe pas fazës parakualifikuese do të zhvillohet faza e zgjedhjes së fituesit. Punimet nisën në fund të vitit 2018 dhe do të zgjasin 30 muaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA